Last Updated on 21/07/2026 by EL
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorë të Thethit për të diskutuar mbi Paketën e Maleve. Gjatë fjalës së tij, Rama risolli në vëmendje aksionin e prishjes së dhjetëra ndërtimeve pa leje në fshatin turistik të Shkodrës, verën e vitit të kaluar.
Kreu i qeverisë tha se ndërtimet pa leje shpërthyen pasi banorët keqkuptuan premtimin e tij për legalizimin e objekteve në Theth të cilat ishin ekzistuese. Sipas Ramës, thethianët filluan të ndërtojnë masivisht pa leje, me shpresën se do të arrijnë të përfitojnë në procesin e legalizimeve të objekteve të mëhershme.
“Është tërësisht e pavërtetë dhe ju jeni dëshmitarë. Unë nuk kam ardhur këtu dhe kam thënë: vazhdoni dhe ndërtoni se i legalizojmë. Se nuk kam pasur si ta them se do isha në shkelje të ligjit. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do legalizojmë këto ekzistueset. Do legalizojmë duke filluar nga ndërtimet e vjetra. Edhe ata që kanë trashëguar kulla në një zonë si kjo, nuk kishin letra. Nuk ia vinte njeri kullën në hipotekë se i thoshin në një zonë të mbrojtur, dhe duke qenë në zonë të mbrojtur mbaje kullën, nuk vjen njeri ta prishë, por nuk bëhet pronë e jotja. Pastaj realiteti i krijuar nga ata që ndërtuan më pas pa leje në kushtet kur këtu nuk kishte asgjë.
Do legalizohen ata që ekzistojnë. Ajo që ndodhi ishte që pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme aty, meqë po e legalizojmë thanë hajt se po futemi. U arrit të goditej kartolina botërore e Thethit. Po të shkosh e të shkruash Theth në të gjitha gjuhët e botës, është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë e shtëpiza druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit. Si mund t’i lejonim ne këto?”, tha Rama./et
