Botërori 2026 mbylli një tjetër kapitull të historisë së futbollit, duke sjellë një turne të mbushur me rekorde, risi dhe debate që shoqëruan garën nga ndeshja e parë deri te finalja e madhe. Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika organizuan për herë të parë së bashku Kupën e Botës, duke garantuar një infrastrukturë moderne dhe stadiume të mbushura pothuajse në çdo ndeshje. Shifrat e pjesëmarrjes ishin ndër më të lartat e regjistruara ndonjëherë. Stadiumet pritën tifozë nga e gjithë bota dhe u mbushën në kapacitetin maksimal. Arena historike si “Azteka” në Meksikë, e cila priti për herë të tretë një Botëror, por edhe impiantet moderne të SHBA-së dhe Kanadasë, u kthyen në qendra të spektaklit futbollistik gjatë gjithë turneut.
Botërori solli edhe histori të veçanta sportive. Kepi i Gjelbër, i udhëhequr nga veterani Vozinja, arriti të vendoste në vështirësi Argjentinën. Kuraçao tregoi potencial kundër Gjermanisë, ndërsa Paraguai realizoi një nga surprizat më të mëdha duke eliminuar gjermanët. Gjithashtu, Japonia, Maroku, Norvegjia, Zvicra, Bregu i Fildishtë dhe Shtetet e Bashkuara ishin ndër skuadrat që lanë përshtypje pozitive me paraqitjet e tyre. Nga aspekti teknik, niveli i lojës u konsiderua më i lartë se në disa edicione të mëparshme. Kombëtaret më të vogla paraqitën organizim më të mirë dhe cilësi më të lartë, ndërsa futbollistët që aktivizohen në kampionatet kryesore evropiane ndikuan ndjeshëm në rritjen e nivelit të skuadrave të tyre.
Pozitivisht u vlerësua edhe arbitrimi. Në shumë ndeshje u lejua vazhdimësia e lojës, me më pak ndërprerje dhe më pak fishkëllima për kontakte të zakonshme. Megjithatë, pati edhe raste që shkaktuan diskutime, veçanërisht në duelet Francë–Paraguai dhe Angli–Argjentinë, ku disa ndërhyrje të forta nuk u ndëshkuan. Në të kundërt, kritikat nuk munguan. Një nga temat më të diskutuara ishte përfshirja e politikës në turne. Delegacione të ndryshme u përballën me situata që u komentuan gjerësisht.
Po ashtu, oraret e ndeshjeve u konsideruan problematike. Takime të zhvilluara në mesditë ose pasdite, me temperatura që në disa raste iu afruan 40 gradëve, ndikuan në ritmin dhe cilësinë e lojës. Kjo u reflektua edhe në finalen mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila u vendos vetëm pas kohës shtesë dhe u cilësua nga shumë analistë si një ndeshje me pak raste dhe me ritëm të ulët. Debate të shumta shkaktoi edhe shfaqja artistike e organizuar gjatë pushimit mes pjesëve të finales.
Një tjetër çështje që prodhoi reagime ishte përdorimi i ndërprerjeve për hidratim. Në disa raste u raportua se rifillimi i lojës u koordinua me transmetimin e reklamave televizive, gjë që krijoi diskutime mbi përdorimin e këtyre pauzave. Ndër episodet më të përfolura ishte edhe rasti i Folarin Balogun. Heqja e pezullimit të tij përpara një ndeshjes me Belgjikën shkaktoi reagime të shumta dhe u kthye në një nga temat më të diskutuara të turneut. Pavarësisht polemikave, Botërori 2026 do të mbahet mend për pjesëmarrjen rekord, stadiumet e mbushura, zgjerimin e kompeticionit dhe paraqitjet e disa kombëtareve që sollën histori të reja në skenën botërore./mxh
