TikTok është kthyer në një nga burimet kryesore ku të rinjtë kërkojnë këshilla për shëndetin mendor, por një analizë e re ngre shqetësime serioze për besueshmërinë e këtij përmbajtjeje. Sipas një raporti të cituar nga People, më shumë se gjysma e 100 videove më të ndjekura me hashtagun #mentalhealthtips përmbajnë informacione të pasakta ose mashtruese.
Videot u analizuan nga psikologë, psikiatër dhe specialistë të shëndetit mendor, të cilët konstatuan se shumë prej tyre ofronin shpjegime të thjeshtëzuara për çrregullime komplekse si depresioni, ankthi, ADHD apo autizmi. Në raste të tjera promovoheshin metoda trajtimi pa prova shkencore, suplemente të paprovuara ose teknika që pretendojnë se mund të “shërojnë traumën” brenda një kohe shumë të shkurtër.
Ekspertët paralajmërojnë se një pjesë e madhe e këtyre videove nxisin vetëdiagnostikimin, duke i bërë përdoruesit të interpretojnë emocione apo sjellje të zakonshme si shenja të një çrregullimi psikologjik. Sipas tyre, përmbajtje të tilla mund të krijojnë konfuzion, të vonojnë kërkimin e ndihmës profesionale dhe të banalizojnë problemet serioze të shëndetit mendor.
Raporti evidenton gjithashtu përdorimin e shpeshtë të gjuhës terapeutike jashtë kontekstit klinik. Terma si “traumë”, “abuzim emocional”, “çrregullim personaliteti” apo “depresion” përdoren shpesh për të përshkruar përvoja të zakonshme të jetës, pa shpjegimet dhe kriteret që kërkon diagnostikimi profesional.
Nga ana e saj, TikTok kundërshtoi metodologjinë e analizës dhe deklaroi se platforma bashkëpunon me organizata shëndetësore, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për të luftuar dezinformimin. Kompania theksoi se heq përmbajtjet e dëmshme dhe promovon burime të besueshme informacioni, ndërsa mbështet edhe ndarjen e përvojave personale nga përdoruesit.
Megjithatë, specialistët këshillojnë që rrjetet sociale të mos përdoren si zëvendësim për konsultën me një profesionist të shëndetit mendor. Përmbajtja në TikTok mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit, por diagnoza dhe trajtimi duhet të bazohen gjithmonë në vlerësimin e ekspertëve dhe në prova shkencore./ THE GUARDIAN-ad
