Last Updated on 22/07/2026 by Monika
Një foshnje vetëm 1-vjeçare do të kalojë sonte natën në ambientet e posaçme të burgut të Pojskës në Pogradec, pasi i është bashkuar nënës së tij 34-vjeçare, e cila u transferua në qeli një ditë më parë.
Gruaja ndodhet në burg për shkak të një dënimi të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Tiranës për dhunë në familje.
Nëna kishte hyrë disa ditë më parë në Shqipëri nga pika kufitare e Muriqanit, teksa kthehej nga Gjermania së bashku me familjen e saj, pa pasur dijeni për vendimin gjyqësor ndaj saj.
Pas mbërritjes në banesë, oficeri i policisë që mbulon zonën ku ajo jetonte është vënë në dijeni për kthimin e saj dhe e ka telefonuar për ta informuar mbi vendimin e gjykatës, duke i kërkuar të paraqitej në Komisariatin nr. 6 në Tiranë.
34-vjeçarja, me emrin Dorina, është paraqitur vullnetarisht disa orë më pas, e shoqëruar nga bashkëshorti dhe me foshnjën 1-vjeçare me vete. Dy fëmijët e tjerë të mitur, një 7-vjeçar dhe një tjetër 2 vjeç e gjysmë, kanë mbetur në banesë.
Pasi në sistemin e policisë rezultonte dënimi i formës së prerë ndaj saj, gruaja u dërgua fillimisht në ambientet e Bllokut të Sigurisë në Tiranë. Më pas, pas mbërritjes së urdhrit të ekzekutimit nga Prokuroria, ajo u transferua drejt burgut të grave në Pogradec.
Gjatë kësaj periudhe, foshnja është sjellë pranë nënës për t’u ushqyer me gji nga gjyshja e tij.
Një ditë më pas, autoritetet kanë dërguar djalin 1-vjeçar në burgun e Pojskës, i shoqëruar nga babai i tij, ndërsa dy fëmijët e tjerë kanë mbetur sërish në shtëpi pa nënën.
Dënimi ndaj 34-vjeçares, i cili ka marrë formë të prerë vetëm muajin e kaluar, lidhet me një ngjarje të disa viteve më parë për një konflikt familjar me vjehrrin e saj.
Procesi gjyqësor është zhvilluar në mungesë, pasi gruaja nuk është paraqitur në asnjë seancë gjyqësore. Gjykata e ka konsideruar këtë si largim nga drejtësia dhe e ka dënuar me burgim, duke mos i dhënë mundësinë e shërbimit të provës.
Për këtë arsye, ajo nuk ka mundur të përfitojë as nga dy amnistitë penale të miratuara gjatë viteve të fundit, ajo e vitit 2024 dhe amnistia e fundit e miratuar pak javë më parë.
Për shkak të situatës së veçantë, Gjykata e Tiranës ka caktuar një seancë urgjente ditën e nesërme në orën 10:45, për të shqyrtuar kërkesën e 34-vjeçares për rivendosje në afat të çështjes gjyqësore.
Kërkesa synon prishjen e vendimit të formës së prerë të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim në të njëjtën gjykatë, me argumentin se procesi është zhvilluar në mungesë. Nëse kërkesa pranohet, nëna e tre fëmijëve të mitur do të mund të lirohet menjëherë.
Për rastin kanë reaguar edhe institucionet më të larta në vend. Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka vizituar nënën në ambientet e burgut dhe ka kërkuar një hetim të hollësishëm për mënyrën se si është trajtuar çështja.
Ndërkohë, burime nga Presidenca kanë bërë të ditur se edhe Presidenti i Republikës është interesuar pranë Ministrisë së Drejtësisë për rastin. Sipas këtyre burimeve, Presidenti Bajram Begaj ka vënë në dispozicion edhe mundësinë e faljes presidenciale për zgjidhjen e situatës.
Sa i përket foshnjës që ndodhet në ambientet e burgut të Pojskës, autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë deklaruar se kushtet e qëndrimit janë optimale./mxh
