Kur dukej se performanca e tyre në finalen e Kupës së Botës 2026 do të mbetej një bashkëpunim i vetëm, Shakira dhe grupi i valltarëve nga Uganda, “Ghetto Kids”, u ribashkuan vetëm pak ditë më vonë.
Këngëtarja kolumbiane surprizoi publikun gjatë natës së dytë të koncertit të saj në “Barclays Center” në Brooklyn, duke ftuar tetë fëmijët në skenë për të performuar sërish këngën “Dai Dai”.
Të veshur me kostume të njëjta në ngjyrë të verdhë, anëtarët e grupit iu bashkuan Shakirës në një performancë plot energji, duke entuziazmuar mijëra fansat e pranishëm në sallë.
Shakira i prezantoi fëmijët një nga një me emër, duke u dhënë secilit hapësirën e tij në skenë dhe duke treguar se lidhja e krijuar mes tyre gjatë finales së Botërorit nuk kishte përfunduar me atë mbrëmje.
Megjithatë, momenti më emocionues erdhi në fund të këngës. Në një gjest spontan, fëmijët u mblodhën rreth artistes dhe e ngritën atë në ajër, ndërsa publiku shpërtheu në duartrokitje dhe brohoritje.
Edhe disa prej balerinëve të Shakirës ndërhynë për ta mbështetur dhe për t’u siguruar që gjithçka të shkonte pa probleme. Pak çaste më vonë, këngëtarja ia ktheu dashurinë grupit, duke marrë në krahë njërin prej fëmijëve, një veprim që shkaktoi një tjetër ovacion në sallë.
Përtej suksesit të performancës, ribashkimi me Shakirën solli sërish në vëmendje historinë frymëzuese të “Ghetto Kids”. Grupi është pjesë e një fondacioni të ngritur në Uganda nga Dauda Kavuma, të cilin fëmijët e thërrasin me përkëdheli “Teacher Teacher”.
Përmes muzikës dhe kërcimit, organizata u ofron strehim, arsimim dhe mundësi të reja fëmijëve jetimë ose në kushte të vështira sociale, duke i ndihmuar të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
Performanca në Brooklyn dëshmoi se bashkëpunimi mes Shakirës dhe “Ghetto Kids” nuk ishte thjesht një moment spektakolar i finales së Botërorit, por fillimi i një lidhjeje të veçantë që vazhdon të emocionojë publikun./mxh
