Edhe pse është nominuar 10 herë për çmimet Grammy, Travis Scott ende nuk ka arritur të fitojë një trofe. Reperi foli së fundmi për këtë fakt, duke theksuar se vlerësimet janë të rëndësishme për të, por nuk janë arsyeja pse ai bën muzikë.
Në një intervistë për Variety, Travis Scott u shpreh se do të ishte shumë i lumtur nëse një ditë do ta fitonte një Grammy dhe nuk pajtohet me ata që thonë se çmimi nuk ka rëndësi. Megjithatë, ai theksoi se nuk e sheh atë si qëllimin kryesor të karrierës së tij.
“Nuk është kjo arsyeja pse bëj atë që bëj. Më pëlqen t’i vendos vetes objektiva dhe t’i arrij ato. Kam vënë re se njerëzit që ia dalin shpesh thonë: ‘Nuk ka rëndësi’. Për mua, një Grammy simbolizon diçka dhe ta fitoja do të ishte e jashtëzakonshme,” tha reperi.
Rrugëtimi i Travis Scott në Grammy Awards nisi në vitin 2014, kur u nominua në kategorinë Best Rap Song si bashkautor i këngës “New Slaves” të Kanye West. Tre vite më vonë, në 2017, ai mori një tjetër nominim në kategorinë prestigjioze Album of the Year për kontributin e tij në albumin “Purpose” të Justin Bieber.
Në 2018, ai u nominua për Best Melodic Rap Performance me këngën “Love Galore”, në bashkëpunim me SZA. Ndërsa 2019 ishte viti më i suksesshëm për të në Grammy, pasi siguroi tre nominime: Best Rap Album për “Astroworld”, Best Rap Song për “Sicko Mode” dhe Best Rap Performance për të njëjtën këngë, së bashku me Drake dhe Swae Lee.
Në 2020, Travis Scott u nominua për Best Melodic Rap Performance me këngën “The London”, në bashkëpunim me Young Thug dhe J. Cole, ndërsa në 2021 mori një tjetër nominim në të njëjtën kategori me “Highest in the Room”.
Në 2022, ai u rikthye në kategorinë Album of the Year si bashkëpunëtor në albumin “Donda” të Kanye West. Nominimi i tij më i fundit erdhi në 2024, kur albumi “Utopia” u nominua për Best Rap Album./mxh
