Last Updated on 29/07/2026 by Anisa
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e kësaj të mërkure fshatin Domen, në Shkodër, ku një banesë është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar një bilanc tragjik.
Si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 13:10 është raportuar rënia e zjarrit në një banesë në fshatin Domen, Shkodër, në pronësi të shtetasit B. Ç. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka shkaktuar vdekjen e shtetases B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijëve të saj të mitur.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje te banorët e zonës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar se si u shkaktua zjarri me pasojë humbjen e tre jetëve.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç.
Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.
Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ad
