Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi sot se ka shpallur si persona të padëshirueshëm në vend disa shtetas, pas rastit të njohur të disa javëve me pare të Ikballe Huduti Berishës.
Në një intervistë televizive, Lamallari u shpreh se bëhet fjalë për “non grata” në bazë të ligjit që i ndalin shtetas të caktuar të shkelin në vend për një periudhë 15 vjeçare.
“Fakt është dhe kjo është e dëshmuar, një rast që ju përmendët më herët, ku unë në zbatim të së drejtës që me jep ligjin për të shpallur person të padëshiruar në vendin tonë për 15 vite, ishte dhe rasti i zonjës Ikballe Huduti, e cila në fakt sipas informacioneve të administruara nga agjencitë e shërbimit informativ dhe të zbatimit të ligjit provohej se kishte lidhje dhe veprimtari, të cilët përbejnë shqetësim dhe kërcënim për Shqipërinë. Nuk është vetëm ky rast, edhe pse nuk është bërë publike, edhe më pas në javët në vijim ka pasur raste të tjera, të cilët i kam shpallur persona të padëshiruar në zbatim të atributeve që më jep ligji“, tha ministri.
Nëse prej këtyre shtetasve ka edhe personazhe publike, Lamallari nuk u përgjigj drejtpërdrejt, ndërsa shtoi se këta individë kanë pasur shfaqje dhe tendenca shqetësuese ekstremiste.
“Jo detyrimisht, por persona, që sigurisht me shfaqje dhe tendenca shqetësuese ekstremiste, të cilët në tërësinë e tyre, pavarësisht rrymave të ndryshme, të mbështetjes, financimit dhe propagandimit, vlerësohen nga agjencitë e Shqipërisë se përbëjnë kërcënim real për vendin dhe qytetarët shqiptarë dhe rrjedhimisht detyrohem të ndërmarr një vendimmarrje të tillë”,-tha Lamallari./kb
