Katërmbëdhjetë vatra zjarri janë raportuar gjatë 12 orëve të fundit në territorin e vendit, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen në terren janë angazhuar 19 automjete zjarrfikëse, 182 forca operacionale, tre helikopterë dhe një avion i Forcës Ajrore.
Në Dajt të Tiranës vijon puna për shuarjen e zjarrit, ndërsa në fshatin Riban të Mallakastrës flakët vijojnë me intensitet të ulët në brendësi të masivit pyjor.
Ndërhyrja e koordinuar nga toka dhe ajri ka larguar rrezikun për zonat e banuara. Gjatë operacionit janë evakuuar përkohësisht 15 familje, ndërsa në mbështetje të aksionit janë angazhuar një helikopter dhe një avion i Forcës Ajrore.
Në fshatin Shqiponjë të Prrenjasit, vatra e zjarrit është vendosur nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen përfundimtare.
Nën kontroll janë edhe vatrat në Vërzhezhë të Skraparit dhe Krekëz të Himarës, ndërsa strukturat operacionale vijojnë monitorimin e situatës.
Në zonën Stegopull–Selckë, në territorin e bashkive Libohovë dhe Dropull, vijon puna për izolimin e zjarrit. Terreni malor dhe shkëmbor po vështirëson ndërhyrjen e forcave të angazhuara.
Nga vatrat e zjarrit janë prekur rreth 1.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa sipërfaqja e dëmtuar nga vatrat aktive vijon të jetë në proces vlerësimi./mxh
