Pesë të rinj të ardhur nga Tirana dhe Kavaja janë arrestuar në fshatin Gjashtë të Sarandës, pasi u kapën me dy pistoleta, municion dhe një silenciator.
Operacioni policor u kodua “Silenciatori”, pasi sipas bluve, grupi dyshohet se po përgatitej për kryerjen e një atentati.
Dy personat kryesorë të arrestuar janë Sidorel Moriseni, 32 vjeç, banues në Tiranë, dhe Alfred Kaja, 26 vjeç, banues në Kavajë, të dy me precedentë penalë.
Sipas policisë, ata u kapën në flagrancë pranë një lokali, në momentin kur po nxirrnin nga automjeti dy armët e zjarrit, fishekët dhe silenciatorin.
Nga hetimet paraprake dyshohet se grupi kishte zënë pritë në një zonë pa ndriçim, duke pritur momentin e përshtatshëm për të kryer një vrasje.
Tre personat e tjerë, të dyshuar si shoqërues të tyre, u kapën në një automjet të dytë. Ata janë Vitrin Hoxha, 20 vjeç, banues në Kavajë, Vonis Poka, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe Franko Bobja, 21 vjeç, banues në Kavajë.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se të arrestuarit u kapën në një rrugicë pranë banesës së biznesmenit Rexhep Ismaili, i cili u vra më 7 maj në lokalin e tij në Qafë Gjashtë. Ngjarja tronditi Sarandën.
Ismaili, i cili ishte edhe kryetar i Shoqatës “Çamëria”, u ekzekutua me një plumb në kokë gjatë një përplasjeje me armë në lokalin e tij.
Nga hetimet rezultoi se ai nuk ishte objektivi i sulmit, por u vra pasi ndërhyri për të mbrojtur Viktor Rucin, një person me precedentë penalë.
Aktualisht, hetuesit po verifikojnë nëse prania e grupit në këtë zonë lidhet me ngjarjen e 7 majit apo nëse ka qenë një rastësi. Deri më tani, asnjë prej të arrestuarve nuk ka dhënë deklarime për objektivin e dyshuar./mxh
