Numërimi i kalorive, fitimi i medaljeve virtuale, ruajtja e “streak”-ut ditor apo marrja e njoftimeve motivuese janë bërë pjesë e rutinës së miliona përdoruesve të aplikacioneve si MyFitnessPal dhe Noom. Këto platforma nuk ndihmojnë vetëm në monitorimin e ushqimit, por përdorin elementë të lojërave për t’i mbajtur përdoruesit aktivë dhe të motivuar. Megjithatë, studiuesit po paralajmërojnë se e njëjta strategji që krijon zakone të shëndetshme mund të ketë edhe efekte negative për disa persona.
Fenomeni njihet si gamification – përdorimi i pikëve, badge-ve, sfidave, objektivave dhe shpërblimeve për të nxitur sjellje të caktuara. Në vend që të regjistrosh thjesht çfarë ke ngrënë, aplikacioni të “shpërblen” kur arrin objektivat ose të kujton kur nuk ke regjistruar një vakt. Për shumë njerëz kjo funksionon si një motivim i fortë për të ndërtuar zakone më të mira ushqimore.
Por sipas psikologes Isabella Anderberg, e cila studion sjelljen digjitale të dietës në universitetin Flinders në Australi, këto mekanizma mund të ndikojnë negativisht te personat që janë më të prirur ndaj ankthit për peshën apo çrregullimeve të të ngrënit. Një medalje për një seri ditësh mund të krijojë ndjesi suksesi, ndërsa një njoftim që të kujton se nuk ke regjistruar drekën mund të perceptohet si kritikë ose dështim.
Ekspertët ngrenë shqetësime edhe për saktësinë e rekomandimeve. Shumë aplikacione llogarisin nevojat ditore për kalori bazuar në moshën, gjatësinë, peshën dhe objektivin e përdoruesit, por bazat e të dhënave ushqimore nuk janë gjithmonë të sakta. Për më tepër, në disa raste objektivat e kalorive mund të jenë tepër të ulëta, duke krijuar ndjenjë faji kur nuk arrihen dhe duke nxitur sjellje jo të shëndetshme, si kufizimi ekstrem i ushqimit ose ngrënia kompulsive.
Sipas Courtney Simpson, psikologe e specializuar në çrregullimet e të ngrënit, problemi nuk është vetë gamification, por mënyra se si përdoret. Nëse sistemi shpërblen objektiva jo realiste, përdoruesi mund të mbetet i bllokuar në një cikël zhgënjimi dhe presioni psikologjik.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se aplikacionet janë të dëmshme për të gjithë. Për shumë përdorues ato mbeten mjete të vlefshme për të monitoruar ushqimin, aktivitetin fizik apo menaxhimin e sëmundjeve kronike. Studiuesit theksojnë se çelësi është përdorimi i tyre si një udhëzues dhe jo si autoritet absolut.
Rekomandimi i ekspertëve është i thjeshtë: vendosni objektiva realiste, dëgjoni sinjalet e trupit dhe mos e matni suksesin vetëm me numrin e kalorive apo kilogramëve. Në fund, zakonet që zgjasin janë ato që mund të mbahen për muaj e vite, jo ato që sjellin rezultate të shpejta, por të paqëndrueshme./ AP NEWS-ad
