Last Updated on 05/08/2026 by Anisa
Shtatori po afron dhe ashtu siç ndodh zakonisht pas verës së nxehtë, një tjetër valë ndryshimesh pritet të përfshijë kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama. Në prag të sezonit të ri politik, në qarqet politike po qarkullojnë zëra se kreu i qeverisë mund të ndërmarrë një riformatim të thellë të ekipit të tij.
Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar edhe avokati Ilir Vata, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë opinionin e tij mbi atë që pritet të ndodhë në fillim të vjeshtës.
Sipas Vatës, nga thashethemet që qarkullojnë në korridoret e politikës thuhet se ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, pritet të shkarkohet nga detyra, ndërsa të njëjtin fat mund të ketë edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Ai shprehet se ndryshimet mund të jenë shumë më të gjera, duke pretenduar se deri në 90% e kabinetit qeveritar mund të zëvendësohet dhe se qeveria e re nuk do të përbëhet vetëm nga përfaqësues të kampit socialist, por do të ketë edhe figura opozitare, madje edhe nga shtresa e të përndjekurve politikë.
“Qeveria e re e Rama..!!! Rama pritet të formojë një qeveri të re, me një përbërje më të gjerë politike: përtej PS-së, duke përfshirë figura nga qendra, e djathta, madje edhe nga shtresa e të përndjekurve politikë.
Pse? Sepse ka protesta dhe ka kërkesa. Nëse janë të arsyeshme dhe të realizueshme, pse të mos merren parasysh? Edhe opozita ka kërkesa. Pse të mos plotësohen ato që janë në interes të qytetarëve? “Kush ka kërkesa?”, pyet Rama. Në shtator do të fryjë një erë ndryshe.
Ministri i Rendit bie, ministri i Drejtësisë largohet… e kështu me radhë. Ndoshta 90% e qeverisë do të zëvendësohet: disa do të shkojnë në shtëpi, të tjerë përballë drejtësisë.
Rama është kryeministër, jo palë që duhet t’u mbajë torbën hajdutëve. Mendoj se ai e ka hapur derën: hajdutët në burg, të ndershmit në qeveri. Nëse nuk e bën këtë, atëherë mund të përfundojë duke ia mbyllur vetë derën burgut”, shkruan avokati./ad
