Ish-ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Olha Stefanishyna, është vënë nën hetim nga autoritetet ukrainase kundër korrupsionit, raportuan mediet vendase.
Sipas raportimeve, Gjykata Kundër Korrupsionit po shqyrton mundësinë e vendosjes së masave kufizuese ndaj ish-zëvendëskryeministres, ndërsa detajet e akuzave nuk janë bërë ende publike.
Stefanishyna shërbeu si ambasadore e Ukrainës në SHBA deri javën e kaluar.
Dorëheqja e saj ishte pjesë e një riorganizimi të gjerë të qeverisë, të nisur nga presidenti Volodymyr Zelensky.
Hetimi lidhet me raportimet se, nëna e saj bleu në vitin 2022 një apartament në qendër të Kievit me një çmim shumë më të ulët se vlera e tregut.
Në atë kohë, Stefanishyna mbante postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Drejtësisë.
Ajo i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.
Pavarësisht reformave të ndërmarra ndër vite, Ukraina vazhdon të renditet nga Organizata Ndërkombëtare për Transparencë, si një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë./mxh
