Sydney Sweeney ka rrëfyer se një prej momenteve më të vështira të karrierës së saj erdhi gjatë xhirimeve të serialit të suksesshëm Euphoria, në një skenë që rezultoi shumë më e ndërlikuar sesa dukej në ekran.
E ftuar në emisionin Hot Ones, aktorja zbuloi se bëhet fjalë për episodin e katërt të sezonit të dytë, ku personazhi i saj, Cassie Howard, vjell në pishinë. Sipas saj, regjisori Sam Levinson kërkonte që efekti të dukej sa më realist dhe dramatik.
Për ta realizuar skenën, ekipi i produksionit nuk përdori metodat e zakonshme, por krijoi një sistem të veçantë me pompa dhe tuba të fshehur në trupin e aktores. Përveç kësaj, asaj iu vendos në gojë një pajisje që mbushej vazhdimisht me një lëng artificial, i cili dilte me presion sa herë që ajo hapte gojën.
Sweeney pranoi se procesi ishte jashtëzakonisht i pakëndshëm dhe kërkoi shumë durim gjatë xhirimeve.
“U desh shumë punë. Sam Levinson donte që të dukej sikur të vjellat shpërthenin kudo,” tha ajo, ndërsa në fund e përshkroi të gjithë përvojën me fjalët: “Është gjëja më e pakëndshme që kam përjetuar ndonjëherë.”
Edhe pse skena ishte një sfidë e madhe, Euphoria u kthye në një fenomen botëror dhe i hapi Sydney Sweeney-t dyert drejt projekteve më të rëndësishme në Hollywood, duke e bërë një nga emrat më të kërkuar të industrisë./mxh
