Kıvanç Tatlıtuğ pritet të shfaqet para publikut në një format krejt të ndryshëm nga projektet që e kanë bërë të njohur. Sipas raportimeve të gazetarit Mehmet Üstündağ, aktori turk po përgatitet të drejtojë një program udhëtimesh dhe gastronomie në një platformë streaming.
Në këtë projekt të ri, Tatlıtuğ do të udhëtojë në vende të ndryshme, duke prezantuar kuzhinën lokale, traditat dhe elementet kulturore të secilit destinacion. Itinerari ende nuk është përcaktuar përfundimisht, ndërsa xhirimet raportohet se do të nisin në muajin shtator.
Deri më tani, aktori nuk ka reaguar publikisht për lajmin dhe nuk ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në format.
Projekti duket se lidhet ngushtë me pasionin e tij për gatimin. Tatlıtuğ ka përfunduar rreth gjashtë muaj trajnim profesional në fushën e kulinarisë në Le Cordon Bleu në Londër. Pas përfundimit të kursit, ai u rikthye në Stamboll së bashku me familjen në prill të vitit 2025.
Në një intervistë të mëparshme, aktori ka treguar se interesimi i tij për kuzhinën u thellua gjatë shtatzënisë së bashkëshortes, periudhë kur ai mori përsipër edhe gatimin në shtëpi.
Kıvanç e ka përshkruar veten si një person që eksperimenton me shijet dhe që pëlqen të kombinojë elemente të ëmbla me nota të kripura ose pikante. Megjithatë, ushqimet e tij të preferuara mbeten gatimet e pasura me karbohidrate, mes tyre poğaça, mantı dhe makaronat.
Aktori ka pohuar se është veçanërisht i apasionuar pas makaronave, të cilat preferon t’i konsumojë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, vetëm me gjalpë dhe kripë.
Nëse raportimet konfirmohen, ky do të jetë një nga projektet më të pazakonta të Kıvanç Tatlıtuğ, duke ndërthurur udhëtimin, kulturën dhe gastronominë me një pasion që aktori e ka kultivuar prej vitesh./mxh
