Një anketë nga një platformë dixhitale në Francë, Gjermani, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar tregoi se një në dy persona ëndërrojnë ose planifikojnë të shpërngulen jashtë vendit. Cilat vende preferojnë ata?
Pothuajse gjysma e banorëve të katër ekonomive më të mëdha të Europës – Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar – e shohin si një mundësi reale të jetojnë jashtë vendit të tyre.
Një sondazh i realizuar nga platforma dixhitale e sigurimeve Feather, me pjesëmarrjen e 2 mijë të rriturve në këto katër vende, tregon se vetëm një në dhjetë persona e përjashton plotësisht mundësinë e zhvendosjes jashtë vendit.
Kostoja e jetesës, arsyeja kryesore
Faktori kryesor që i shtyn europianët të mendojnë për një jetë jashtë vendit është rritja e kostos së jetesës.
Fenomeni lidhet me rritjen e komunitetit të “expat”-ëve, term që përdoret kryesisht për qytetarët e vendeve të zhvilluara ekonomikisht që zgjedhin të jetojnë përkohësisht ose përgjithmonë në një shtet tjetër, qoftë për punë, si nomadë dixhitalë, apo si pensionistë.
Ky fenomen ndryshon nga emigracioni ekonomik apo migrimi i detyruar, ku njerëzit largohen nga vendet e tyre për shkak të varfërisë, luftërave, katastrofave natyrore apo kushteve ekstreme klimatike.
Ndërkohë, po shfaqet edhe një model i ri: “semi-pat”-ët, persona që nuk vendosen përgjithmonë në një shtet tjetër, por e ndajnë jetën mes dy ose më shumë vendeve.
Francezët kryesojnë listën
Sipas sondazhit, francezët janë më të prirurit për të jetuar jashtë vendit. 57% e tyre thonë se presin të jetojnë në një shtet tjetër në një moment të së ardhmes.
Pas tyre renditen:
- Gjermanët – 52%
- Italianët – 49%
- Britanikët – 48%
Në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se një në katër persona, ose 28%, po e mendojnë seriozisht ose po planifikojnë aktivisht një zhvendosje jashtë vendit.
Në Gjermani, rreth 1 në 10 persona deklaron se po planifikon aktualisht të largohet.
Ndërkohë, 92% e britanikëve thonë se vitet e fundit janë bërë më pozitivë ndaj idesë së të jetuarit jashtë vendit, përqindja më e lartë mes katër shteteve të përfshira në studim.
Kosto më e ulët apo jetë më cilësore?
Rritja e kostos së jetesës në vendin e origjinës është arsyeja kryesore për një zhvendosje të mundshme për 53% të britanikëve, 48% të francezëve, 43% të gjermanëve dhe 32% të italianëve.
Megjithatë, prioritetet ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Britanikët kërkojnë kryesisht një jetë më të lirë dhe më të mirë. Rreth 45% e tyre e konsiderojnë koston më të ulët të jetesës si një nga faktorët kryesorë tërheqës.
Në Francë, situata është ndryshe: cilësia e jetës, me 40%, renditet mbi koston më të ulët të jetesës, e cila përmendet nga 35%.
Gjermanët i vlerësojnë të dy faktorët në mënyrë të barabartë, me nga 34% secili.
Italianët, nga ana tjetër, i kushtojnë më shumë rëndësi tregut të punës. 20% përmendin mundësitë profesionale, ndërsa 18% balancën mes punës dhe jetës private – nivele më të larta se në vendet e tjera të përfshira në sondazh.
“Semi-pat”-ët, modeli i ri i jetesës
Një nga tendencat që pritet të përcaktojë mënyrën se si njerëzit do të jetojnë jashtë vendit gjatë dekadës së ardhshme është ajo e “semi-pat”-ëve.
Ndryshe nga modeli tradicional i emigrantit, i cili zhvendosej në një vend tjetër, blinte një shtëpi dhe ndërtonte një jetë të re të përhershme, “semi-pat”-ët zgjedhin një mënyrë jetese shumë më fleksibël.
Ata mund të jetojnë gjashtë muaj në një shtet duke punuar në distancë, të kthehen në vendin e tyre të origjinës dhe më pas të largohen sërish, ndoshta drejt një destinacioni tjetër.
Kështu, “semi-pat”-ët po shndërrohen në një brez të ri kozmopolitësh, të cilët provojnë mënyra të ndryshme jetese dhe krijojnë lidhje profesionale e sociale në disa vende.
Ekspertët vlerësojnë se brezat e rinj, përfshirë fëmijët dhe adoleshentët e Generation Alpha, do të rriten duke e konsideruar jetën dhe marrëdhëniet në distancë si diçka normale. Për ta, karriera, miqësitë dhe identiteti nuk do të jenë domosdoshmërisht të lidhura me një vend të vetëm.
Në këtë drejtim, shtetet po konkurrojnë gjithnjë e më shumë për të tërhequr punonjësit që punojnë në distancë dhe pensionistët, duke ofruar viza për nomadët dixhitalë dhe procedura më të thjeshta për leje qëndrimi.
Ku duan të jetojnë europianët?
Destinacioni kryesor për britanikët është Spanja, e zgjedhur nga 24% e të anketuarve. Pas saj vijnë Australia me 19% dhe Kanadaja me 15%.
Për gjermanët, zgjedhja e parë është Austria, me 17%. Spanja dhe Zvicra ndajnë vendin e dytë, me nga 11%.
Francezët preferojnë Kanadanë (17%), Spanjën (16%) dhe Italinë (14%).
Italianët mbeten të orientuar drejt Mesdheut: 20% zgjedhin Spanjën, ndërsa 12% Portugalinë dhe po 12% Zvicrën.
Po shfaqen destinacione të reja
Sipas analizës, destinacionet e ardhshme të preferuara nga expat-ët nuk do të përcaktohen më vetëm nga dielli dhe bukuria natyrore.
Në vend të kësaj, njerëzit do të kërkojnë një kombinim të cilësisë së jetës, kostos së përballueshme, rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike, shërbimeve shëndetësore, infrastrukturës dhe aksesit në natyrë.
Në këtë kategori po fitojnë terren Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re, të cilat ofrojnë hapësirë, natyrë dhe një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës.
Ndërkohë, Sllovenia, Mali i Zi dhe Kroacia po shfaqen si alternativa të reja për ata që kërkojnë bukurinë natyrore dhe ritmin e qetë të jetës mesdhetare, por duan të shmangin problemet e destinacioneve tashmë të tejmbushura: turizmin masiv, çmimet e larta dhe temperaturat ekstreme të verës.
Një tjetër destinacion në rritje është Kosta Rika, e cila kombinon natyrën, biodiversitetin, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien. Veçanërisht tërheqëse është gadishulli Nicoya, një nga zonat “Blue Zones” të botës, ku jetëgjatësia e banorëve është veçanërisht e lartë.
Portugalia, ndërkohë, mbetet një destinacion i konsoliduar. Ajo ofron një stil më të qetë jetese, komunitet, siguri dhe aksesueshmëri, edhe pse përballë saj qëndron sfida e ruajtjes së përballueshmërisë ekonomike, ndërsa popullariteti i saj rritet.
A po i vjen fundi “ëndrrës mesdhetare”?
Destinacionet tradicionale si Spanja, Franca dhe Italia nuk pritet të humbasin tërheqjen e tyre. Por mënyra se si njerëzit zgjedhin të jetojnë në këto vende mund të ndryshojë.
Në vend të kryeqyteteve dhe zonave turistike të mbipopulluara, gjithnjë e më shumë njerëz mund të orientohen drejt rajoneve veriore, qyteteve më të vogla dhe zonave rurale, ku mund të gjejnë komunitet dhe cilësi më të mirë jetese gjatë gjithë vitit.
Presioni është veçanërisht i madh në destinacionet më të njohura, ku rritja e çmimeve të pronave, turizmi masiv dhe valët e të nxehtit po ndryshojnë perceptimin për jetën në këto vende.
Edhe Athina përmendet si një qytet që mund të përballet gradualisht me këtë problem.
Në fund, pyetja e atyre që mendojnë të zhvendosen nuk është më thjesht: “Ku është moti më i mirë?”
Por: “Ku mund të jetoj mirë gjatë gjithë vitit?”
E njëjta logjikë po zbatohet edhe për qytetet e mëdha. Për një person që punon në distancë, dilema bëhet gjithnjë e më e fortë: a ia vlen të jetosh në një kryeqytet të shtrenjtë, të zhurmshëm dhe të mbipopulluar, apo një qytet më i vogël mund të ofrojë një jetë më të qetë, më të lirë dhe më cilësore?/ad
