Shpërthimi i Ebolës në lindje të Republikës Demokratike të Kongos po përhapet me një shpejtësi të paprecedentë, sipas virologut të njohur kongolez Jean-Jacques Muyembe.
Sipas të dhënave të raportuara më 7 gusht, shpërthimi kishte shkaktuar 1,916 viktima nga 4,209 raste të konfirmuara. Numri i të vdekurve po i afrohet bilancit të epidemisë së vitit 2018, e cila zgjati 22 muaj dhe shkaktoi 2,287 viktima.
Muyembe, një nga bashkëzbuluesit e virusit Ebola në vitin 1976, tha se virusi mund të ketë qarkulluar që nga janari, por u zbulua vetëm në prill ose maj. “Kjo është një shpejtësi e jashtëzakonshme përhapjeje, të cilën nuk e kemi vërejtur kurrë më parë”, tha ai.
Sipas tij, reagimi ndaj shpërthimit ka qenë i ngadaltë dhe joefektiv, për shkak të problemeve në mbikëqyrje dhe koordinim, si dhe ndikimit të konfliktit të armatosur dhe aktivitetit minerar.
Muyembe paralajmëroi gjithashtu se shifrat zyrtare mund të mos pasqyrojnë përmasat reale të epidemisë, pasi disa pacientë qëndrojnë në shtëpi dhe nuk zbulohen.
Shpërthimi është zgjeruar nga tre zona shëndetësore në 53 dhe nga tre provinca në pesë, duke rritur shqetësimet për përhapjen e mëtejshme të virusit./ad
