“Për Trumpin, fluturimi sekret nga Turqia ishte një marifet spektakolar – Për Putinin, do të kishte qenë një e martë e zakonshme…” shkruan NYT.
Truku i presidentit amerikan Donald Trump me “Air Force One” në Turqi zbehet përballë nivelit të fshehtësisë që rrethon presidentin rus Vladimir Putin, obsesioni i të cilit me sigurinë ka arritur nivele të reja vitet e fundit, shkruan The New York Times.
Aktivitetet e presidentit rus janë të mbuluara nga një mister kaq i madh, sa gazetarët kanë tentuar t’i gjurmojnë lëvizjet e tij edhe përmes mënyrave të pazakonta, madje duke vëzhguar edhe nëse bimët në zyrat ku ai shfaqet fillojnë të vyshken.
Për Putinin, një nivel i tillë mashtrimi dhe fshehtësie është bërë praktikë e zakonshme.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë është kritikuar për faktin se nuk bëri të ditur ndryshimin e fshehtë të avionit të Trumpit në një aeroport turk muajin e kaluar. Historia u zbulua vetëm pasi The Washington Post publikoi detajet e operacionit.
Zyrtarët amerikanë thanë se ekzistonte një kërcënim që lidhej me mundësinë e lëshimit të një rakete kundër avionit presidencial. Për këtë arsye, Trump u transferua fshehurazi nga “Air Force One” në një avion tjetër ushtarak. Sulmi nuk ndodhi, por operacioni ngriti pikëpyetje nëse gazetarët dhe pjesëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë, të cilët vazhduan udhëtimin në “Air Force One” pa e ditur se presidenti kishte zbritur, u përdorën si “karrem” për të mashtruar një sulm të mundshëm.
“Në krahasim me Putinin, loja e fshehjes së Trumpit është lojë fëmijësh”
“Në krahasim me Rusinë, kjo është lojë fëmijësh”, tha Mihail Rubin, një gazetar rus investigativ.
Rubin dhe gazetarë të tjerë kanë zbuluar se Putini ka pajisur rezidencat e tij me zyra pothuajse identike, në mënyrë që videot e takimeve të tij të mos zbulojnë vendndodhjen reale të presidentit.
Sipas The New York Times, duke iu referuar raportimeve të ndryshme dhe pamjeve satelitore, struktura e sigurisë së Putinit ka krijuar edhe një tren presidencial, si dhe degëzime të posaçme hekurudhore dhe stacione sekrete pranë të paktën tri rezidencave të tij verore në Rusi.
Zyrtarët qeveritarë janë të detyruar të marrin pjesë në këtë lojë fshehtësie. Takimet me Putinin mbahen të fshehta deri në momentin kur transmetohen në televizion, ndonjëherë edhe disa javë më vonë, dhe më pas paraqiten sikur janë zhvilluar pikërisht atë ditë.
Në Rusi, mashtrimi lidhur me vendndodhjen e presidentit “është thjesht një e martë e zakonshme”, tha Farida Rustamova, gazetare ruse që mbulon aktivitetet e Kremlinit nga ekzili.
Ajo ka raportuar se bashkëbiseduesit e Putinit në takimet e transmetuara në televizion ndonjëherë flasin për ngjarje që tashmë kanë ndodhur. Në të paktën një rast, veshjet dhe modeli i flokëve të tyre nuk përputheshin me paraqitje të tjera publike të së njëjtës periudhë.
Gazetarët rusë kanë madje një term të veçantë për këto takime të Putinit që transmetohen me vonesë: “konservy”, që do të thotë “konserva”.
Kremlini ka mohuar në të kaluarën se mashtron publikun për vendndodhjen e Putinit dhe nuk iu përgjigj kërkesës për koment lidhur me këto raportime.
Treni i blinduar i Putinit
Në vitin 2023, një ish-punonjës i Shërbimit Federal të Mbrojtjes së Rusisë, F.S.O., i cili dezertoi, pretendoi se Putini përdorte trenin për t’iu shmangur ndjekjes dhe survejimit.
Dokumente të rrjedhura treguan ekzistencën e një treni të fshehtë dhe të blinduar, të përshtatur posaçërisht për presidentin rus. Treni ishte lyer në mënyrë që të dukej si një tren i zakonshëm pasagjerësh, por ishte pajisur me palestër, spa dhe pajisje të posaçme komunikimi.
Obsesioni i Putinit me fshehtësinë dhe sigurinë duket se u intensifikua gjatë pandemisë së COVID-19. Në atë periudhë, zyrtarët detyroheshin të qëndronin në karantinë për dy javë përpara se të takonin presidentin, ndërsa izolimi i tij e bëri më të lehtë fshehjen e vendndodhjes së tij.
Kjo qasje është intensifikuar edhe më tej që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, veçanërisht pasi dronët ukrainas nisën të depërtonin më thellë në territorin rus.
Në Moskë tashmë qarkullojnë edhe spekulime se autokolonat e mëdha që lëvizin me shpejtësi nëpër rrugët e kryeqytetit dhe që mendohet se transportojnë Putinin, në disa raste mund të jenë autokolona mashtruese, të përdorura si karrem, sipas Rustamovas.
Rubin ishte i pari që raportoi në vitin 2020 se Putini punonte nga zyra pothuajse identike në rezidencat e tij në periferi të Moskës dhe në resortin e Soçit, në brigjet e Detit të Zi.
Kjo i mundësonte Kremlinit të publikonte pamje të presidentit pa zbuluar se ku ndodhej në të vërtetë.
Një raport i Radio Free Europe/Radio Liberty vitin e kaluar zbuloi më shumë detaje rreth kësaj strategjie mashtrimi, duke evidentuar ndryshime të vogla mes zyrave që në pamje të parë ishin identike. Pozicioni i dorezave të dyerve, bashkimet në mure dhe detaje të tjera të imta tregonin se ato ndodheshin në vende të ndryshme.
Mashtrimi si mjet pushteti
Për Putinin, mashtrimi nuk lidhet vetëm me sigurinë. Ai shërben edhe për të krijuar imazhin e një presidenti që është vazhdimisht aktiv, i pranishëm dhe në kontroll të situatës.
Në të kundërt, niveli i mbulimit mediatik të presidentit amerikan do të ishte i paimagjinueshëm në Rusi, madje edhe përpara luftës në Ukrainë dhe pandemisë.
Megjithatë, kufizimet që administrata Trump vendos ndaj mediave, së bashku me mënyrën se si u menaxhua udhëtimi i presidentit amerikan muajin e kaluar, u duken disa gazetarëve rusë si diçka e njohur.
“Putini është një karikaturë e një forme pushteti që i ka çuar të gjitha gjërat që ndodhin rreth tij në kufijtë e absurdit”, tha Rubin. “Trumpi po shkon në atë drejtim.”/ad

