Last Updated on 13/08/2026 by EL
Forcat e angazhuara për përballimin e zjarreve në vend po vijojnë ndërhyrjen pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri, me fokus izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se në terren janë angazhuar 274 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 21 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Sipas Nufit, ndërhyrja ka nisur që prej orëve të para të ditës dhe po vijon në të gjitha vatrat aktive, me qëllim kufizimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e komuniteteve të rrezikuara. Nufi thekson se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti kryesor, ndërsa angazhimi i Forcave të Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, do të vijojë deri në qetësimin e plotë të situatës.
“Ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon pa ndërprerje në të gjitha vatrat aktive të zjarrit. Në terren janë angazhuar 274 efektivë të Forcave të Armatosura, me 21 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”, të cilët prej orëve të para të ditës po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara. Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti kryesor, ndërsa angazhimi i Forcave të Armatosura nën koordinimin e Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë pa ndërprerje deri në qetësimin e plotë të të gjithë situatës”, shkruan Nufi./et
