Aktori i njohur turk Barış Falay, i cili mbahet mend veçanërisht për rolin e tij në serialin e famshëm “Ezel”, është përlotur në ceremoninë e lamtumirës së mikut të tij të ngushtë, aktorit Şafak Karali, i cili u nda nga jeta në moshën 57-vjeçare.
Karali, pjesë e trupës themeluese të Teatrit të Qytetit të Kocaelit, u nderua në një ceremoni përkujtimore të organizuar në Qendrën Kulturore Süleyman Demirel. Në këtë event morën pjesë familjarë, miq dhe emra të njohur të artit turk.
Momenti më emocionues ishte fjalimi i Barış Falay, i cili kishte krijuar një miqësi të veçantë me Karalin që në vitet e universitetit. Aktori tregoi se i ndjeri ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij, madje edhe xhaxhai i djalit të tij.
“Şafak ishte miku im më i mirë. Xhaxhai i djalit tim. Kemi kaq shumë kujtime së bashku që nga universiteti. Kjo ndarje erdhi shumë herët dhe në mënyrë të papritur”, u shpreh ai mes lotësh.
Në fund, Falay tha se secili mund ta përcillte mikun e tij sipas besimit dhe mënyrës së vet, por për të fjalët ishin të qarta: “Ai do të jetojë me mua”.
Edhe aktori Engin Benli kujtoi bashkëpunimin dhe momentet e bukura me Karalin, duke shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të kolegut të tij./mxh
