Last Updated on 13/08/2026 by EL
Nëse po kërkoni një arratisje europiane pa shpenzuar shumë, Polonia duket se është destinacioni ideal. Pesë qytetet më të lira për një fundjavë ndodhen pikërisht atje, ndërsa gjashtë qytete polake janë në 10-shen e parë.
Një studim i ri, që ka analizuar kostot në 100 qytete europiane, ka zbuluar destinacionet ku paratë e turistëve vlejnë më shumë. Në llogaritje janë përfshirë akomodimi, ushqimi dhe transporti lokal për dy persona, ndërsa biletat e avionit janë lënë jashtë për shkak të ndryshimeve të mëdha të çmimeve.
Në krye të listës qëndron Vroclavi, ku një fundjavë për dy persona kushton mesatarisht vetëm 163 euro. Qyteti, i njohur si “Qyteti i Urave”, ofron një kombinim të arkitekturës historike, shesheve plot jetë dhe atraksioneve si sheshi Rinek dhe Salla e Njëqindvjetorit.
Pas tij vjen Poznanja, me një kosto prej rreth 168.50 eurosh për dy persona. Sheshi i Vjetër i qytetit, Bashkia e Poznanjas dhe Ishulli i Katedrales janë ndër pikat që mund të vizitohen pa një buxhet të madh.
Në vendin e tretë renditet Katovica, ku një fundjavë për dy kushton rreth 239 euro, ndërsa Gdanski zë vendin e katërt me rreth 275 euro. Qyteti bregdetar tërheq vizitorët me arkitekturën historike, tregun e gjatë dhe atmosferën e tij maritime.
Top pesëshen e mbyll Krakova, një prej qyteteve më të famshme turistike të Polonisë. Një fundjavë për dy persona kushton rreth 295 euro, ndërsa vizitorët mund të eksplorojnë Kazimierzin, Sukiennicen dhe Bazilikën e Shën Marisë.
Edhe jashtë Polonisë ka alternativa
Në vendin e gjashtë renditet Sofja e Bullgarisë, me rreth 77 euro për person në ditë, e ndjekur nga Zagrebi i Kroacisë me rreth 95 euro.
Më pas vijnë Malmo në Suedi me 105 euro dhe Budapesti në Hungari me rreth 111 euro për person në ditë. Në vendin e dhjetë rikthehet Polonia me Varshavën, ku shpenzimet arrijnë rreth 112 euro në ditë për person.
Dhe në anën tjetër… qytetet që kushtojnë një pasuri
Nëse Polonia është mbretëresha e destinacioneve ekonomike, Zyrihu është në krye të listës së qyteteve më të shtrenjta.
Një fundjavë për dy persona në qytetin zviceran kushton mesatarisht rreth 1,325 euro, ndërsa vetëm akomodimi arrin në rreth 359 euro.
Zvicra dominon edhe vendet pasuese, me Bernën në vendin e dytë dhe Bazelën në të tretin. Në pesëshen e qyteteve më të shtrenjta hyjnë gjithashtu Venecia dhe Parisi, ku një fundjavë për dy persona kushton përkatësisht rreth 1,180 dhe 1,133 euro.
Pra, nëse dëshironi një fundjavë europiane me histori, arkitekturë, ushqim të mirë dhe kosto të përballueshme, Polonia duket se ka kartën fituese.
