Në korridoret dikur të gjalla të gazetës prestigjioze ruse Novaya Gazeta, tashmë mbizotëron heshtja. Pas mbylljes së detyruar dhe bllokimit nga autoritetet e Kremlinit, bashkëthemeluesi i saj dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Dmitry Muratov, ka dhënë një intervistë ekskluzive për redaktorin e BBC-së për Rusinë, Steve Rosenberg.
Sipas 64-vjeçarit, pretendimet e Presidentit Vladimir Putin për një “fitore” në Ukrainë janë krejtësisht joreale pas gati pesë vitesh luftë të përgjakshme.
“Nuk do të ketë kurrë ‘fitore’. Sepse ajo që ka ndodhur për gati pesë vjet – pavarësisht se si përfundon – nuk mund të konsiderohet më një fitore. Nuk mund të jetë një fitore kur dy kombe sllave kanë copëtuar një milion njerëz ose më shumë,” deklaroi Muratov.
Lidhur me ecurinë e konfliktit, nobelisti rus thekson se ushtria ruse ka arritur në një pikë ku mund vetëm të shkatërrojë, por jo të nënshtrojë popullin ukrainas.
“Më duket se situata me Ukrainën tani është kjo: mund ta shkatërrosh, por nuk mund ta pushtojë. Çfarë dua të them me shkatërrim? Përshkallëzim të vazhdueshëm deri në përdorimin e një arme bërthamore,” paralajmëroi ai, duke vënë në dukje se diskutimi mbi armët bërthamore është bërë një normë shqetësuese në mediat shtetërore ruse.
Shtypja e opozitës dhe vala e re e burgosjeve politike
Muratov, i cili në vitin 2021 u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, nxori më vonë në ankand medaljen e tij për të ndihmuar refugjatët ukrainas përmes UNICEF-it. Megjithatë, autoritetet ruse anuluan regjistrimin e gazetës së tij dhe e shpallën vetë atë “agjent të huaj”.
Gjatë intervistës, gazetarit iu treguan foto të dhjetëra të burgosurve politikë në Rusi – që nga gazetarët e dënuar me vite të tëra burgim, e deri te artisti dhe pianisti Pavel Kushnir, i cili ndërroi jetë në paraburgim gjatë një greve urie.
“Sipas një vlerësimi konservator, që nga fillimi i ‘operacionit ushtarak special’ të Rusisë, të paktën 1,500 njerëz janë tani në burg pasi kanë folur kundër politikës aktuale shtetërore. Kjo është tre herë më shumë sesa gjatë ditëve të egra të KGB-së në BRSS,” tha Muratov.
Skepticizmi ndaj elitave dhe Perëndimit
I pyetur mbi pushtetin e Putinit dhe raportet me udhëheqësit perëndimorë, Muratov u tregua kritik ndaj pretendimeve për përçarje brenda elitarëve të Kremlinit, duke theksuar se frika e mbjellë nga FSB-ja mban gjithçka nën kontroll.
Gjithashtu, ai nëvizoi hipokrizinë që, sipas tij, ekziston në marrëdhëniet e mëparshme midis Perëndimit dhe Moskës.
“Kur ata [liderët evropianë] flasin me Putinin për vlerat evropiane, ai qesh me të vërtetë me të madhe. Ai e di vlerën e vërtetë të njerëzve që ia predikuan ato vlera, ndërsa me dorën tjetër nënshkruanin marrëveshje për tregtinë e naftës, gazit dhe diamanteve,” përfundoi Muratov.
Pavarësisht presionit të madh shtetëror dhe heshtjes së imponuar, gazetari nobelist thekson se në rrugët e Moskës dëgjohen ende pëshpëritje mirënjohjeje nga qytetarët që nuk mbështesin luftën, duke mbajtur gjallë një shpresë të heshtur për të ardhmen./mxh
