Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është larguar nga Panama City të enjten, pas përfundimit të samitit të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër karteleve të drogës në Amerikë.
Takimi u përqendrua te forcimi i bashkëpunimit ushtarak dhe lufta kundër trafikut të narkotikëve, ndërsa Uashingtoni kërkon një angazhim më të madh të vendeve të rajonit.
Gjatë samitit, Hegseth hodhi idenë e mundësisë së operacioneve të përbashkëta ushtarake kundër grupeve të armatosura në Kolumbi. Deklarata erdhi pasi Kolumbia iu bashkua koalicionit amerikan për luftën kundër narkotikëve, pas ndryshimit të pushtetit në vend.
Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar operacionet ushtarake kundër trafikantëve të dyshuar të drogës. Që nga nisja e sulmeve amerikane ndaj mjeteve lundruese të dyshuara për trafik narkotikësh, në shtator të vitit të kaluar, më shumë se 200 persona janë vrarë.
Në janar, një tjetër operacion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara çoi në rrëzimin nga pushteti të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro.
Operacionet amerikane kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Kritikët i kanë cilësuar sulmet ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge si të paligjshme dhe kanë argumentuar se ato mund të përbëjnë krime lufte, të cilat mund të jenë objekt i shqyrtimit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Hegseth, megjithatë, ka hedhur poshtë kritikat dhe ka sulmuar ashpër Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Madje, ai u ka bërë thirrje vendeve aleate që morën pjesë në takimin në Panama të tërhiqen nga gjykata.
Në përfundim të samitit, Hegseth u largua nga Panama City, ndërsa administrata amerikane sinjalizon se lufta kundër karteleve dhe trafikut të drogës do të vijojë të jetë një nga prioritetet e saj në rajon./mxh
