Last Updated on 14/08/2026 by Anisa
Është ndarë nga jeta profesori i Universitetit të Elbasanit, Albert Riska.
Lajmi është bërë i ditur nga Universiteti i Elbasanit, i cili shpreh ngushëllimet për familjen, të afërmit, kolegët, studentët dhe të gjithë ata që e njohën profesorin.
Albert Riska kishte një karrierë të gjatë akademike pranë Universitetit të Elbasanit. Ai e nisi aktivitetin pedagogjik në këtë institucion në vitin 1988 si pedagog i jashtëm, ndërsa nga viti 1991 vijoi si pedagog i gjuhës, ku ligjëroi ndër të tjera Dialektologjinë dhe Historinë e gjuhës shqipe.
Gjatë viteve ka mbajtur edhe disa funksione drejtuese, përfshirë atë të përgjegjësit të Departamentit të Gjuhës dhe të Fakultetit të Shkencave Humane.
Prof. Riska është marrë gjithashtu me kërkime dhe shkrime në fushën e gjuhësisë. Ai ka botuar artikuj dhe trajtesa mbi gjuhën shqipe, dialektologjinë, etimologjinë dhe çështje të historisë së gjuhës.
Ndër veprat e tij është edhe libri “Shqipja dhe Krishterimi”, ku trajtohen lidhje mes gjuhës shqipe, historisë dhe përhapjes së krishterimit në hapësirat ilire, duke u mbështetur edhe në materiale të mbledhura gjatë ekspeditave gjuhësore.
Përveç veprimtarisë akademike, Riska ka qenë pjesë e strukturave shkencore të Universitetit të Elbasanit, përfshirë edhe bordin editorial të buletinit shkencor të universitetit.
Sipas njoftimit të Universitetit të Elbasanit, pritja bëhet pranë Shtëpisë Funerale “Prehje në Paqe”, Salla 1, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet të premten, më 14 gusht 2026, në orën 15:00./ad
