Instagram ka prezantuar një version të ri të logos së tij me shkrim, duke shënuar ndryshimin e parë të këtij elementi të identitetit vizual të platformës në një dekadë.
Ndryshimi u njoftua të enjten nga kreu i Instagramit, Adam Mosseri, përmes Instagramit dhe Threads. Ai e përshkroi logon e re si “më të mprehtë dhe më moderne”, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen me identitetin origjinal dhe thjeshtësinë e markës.
Risia kryesore është wordmark-u, pra emri “Instagram” që shfaqet me një tipografi të ridizenjuar. Shkrimi ruan stilin karakteristik të platformës, por format e disa shkronjave janë ndryshuar.
“Wordmark-u në krye të aplikacionit nuk ka ndryshuar prej 10 vitesh, ndaj ishte koha për një rifreskim”, shkroi Mosseri. Sipas tij, dizajni i ri është “më i pastër dhe më modern”, ndërsa ruan referencat ndaj logos origjinale dhe thjeshtësinë që ka karakterizuar Instagramin.
Ikona që të gjithë njohin mbetet e pandryshuar
Pavarësisht titujve për një “logo të re të Instagramit”, ikona e aplikacionit nuk ka ndryshuar.
Ajo që përdoruesit shohin në ekranin e telefonit, simboli katror me gradientin shumëngjyrësh dhe siluetën e kamerës mbetet i njëjtë.
Ky është një dallim i rëndësishëm, pasi ndryshimi i fundit i madh i identitetit vizual të Instagramit ndodhi në vitin 2016, kur kompania hoqi dorë nga kamera klasike kafe me shiritin e ylberit dhe e zëvendësoi me ikonën me gradientin rozë, portokalli, të verdhë dhe vjollcë që përdoret edhe sot.
Meta nuk ka bërë të ditur nëse edhe ikona e aplikacionit do të ridizenjohet.
Reagimet: Nga “më moderne” te “Instagzam”
Ndryshimi ka shkaktuar reagime të ndryshme në internet.
Disa përdorues e kanë vlerësuar pamjen e re, ndërsa të tjerë e kanë konsideruar zhgënjyese. Në rrjetet sociale janë shfaqur edhe shaka se emri Instagram tani duket sikur shkruhet “Instagzam”, për shkak të formës së shkronjës “r”.

