Selena Gomez është përfshirë në një çështje ligjore pas padisë së ngritur nga disa investitorë të Wondermind, startup-it të shëndetit mendor që këngëtarja dhe aktorja bashkëthemeloi në vitin 2021.
Pesë investitorë pretendojnë se kanë investuar rreth 1.2 milionë dollarë në kompani në vitin 2022, duke besuar se emri dhe ndikimi i Gomez do të ndihmonin në rritjen e biznesit. Sipas padisë, ata ishin bindur se Wondermind kishte një vlerësim prej 95 milionë dollarësh dhe se kompania do të siguronte partneritete të mëdha, marrëveshje reklamimi dhe do të zhvillonte një aplikacion.
Por, sipas investitorëve, asnjëra prej këtyre nismave nuk u realizua.
Në dokumentet e gjykatës, ata pretendojnë se për rreth tre vite nuk morën informacion të plotë mbi gjendjen reale të kompanisë, ndërsa Wondermind thuhet se po përballej me vështirësi serioze. Investitorët pretendojnë se u mashtruan lidhur me suksesin e startup-it dhe nivelin e përfshirjes së themeluesve.
Padia përfshin Selena Gomez, nënën e saj Mandy Teefey, e cila ishte bashkëdrejtuese e kompanisë, si dhe ish-partneren e biznesit Daniella Pierson. Ndaj tyre janë ngritur akuza për mashtrim financiar, mashtrim të zakonshëm, shkelje kontrate dhe pretendime të tjera ligjore. Investitorët kërkojnë kthimin e shumës së investuar, dëme shtesë dhe shpenzimet ligjore.
Wondermind u prezantua në vitin 2021 si një platformë që synonte t’u ofronte njerëzve mënyra të thjeshta për t’u kujdesur për mirëqenien e tyre mendore. Gomez ishte listuar si bashkëthemeluese, “chief impact officer” dhe përgjegjëse për marketingun.
Sipas padisë, investitorët kishin marrë gjithashtu informacione për partneritete të mundshme me kompani të mëdha, histori me personazhe të njohura dhe një aplikacion që do të ishte pjesë e rëndësishme e projektit. Megjithatë, ata pretendojnë se këto projekte nuk u realizuan.
Çështja mori një tjetër kthesë pas një artikulli të publikuar nga The Cut, i cili raportonte për probleme të brendshme në Wondermind dhe konflikte mes drejtuesve të kompanisë. Raportimi është përdorur edhe në padinë e re si një prej bazave të pretendimeve të investitorëve.
Një tjetër akuzë lidhet me ish-partneren Daniella Pierson. Sipas padisë, Teefey u kishte thënë investitorëve se Pierson dyshohej se kishte përdorur para të investitorëve për të paguar qiranë e saj në New York, e cila pretendohet të ketë qenë rreth 60 mijë dollarë në muaj.
Pierson i ka mohuar kategorikisht këto pretendime. Në një deklaratë, ajo tha se mohon akuzat dhe se mirëpret mundësinë për të paraqitur dokumente dhe të dhëna financiare që, sipas saj, do të tregojnë faktet. Ajo theksoi gjithashtu se nuk ka përdorur paratë e investitorëve për shpenzime personale.
Deri tani, Selena Gomez, Mandy Teefey dhe Wondermind nuk kanë dhënë një koment publik mbi padinë./mxh
