Nicole Kidman ka folur hapur për mënyrën se si martesat dhe ndarjet e saj kanë ndikuar në jetën personale dhe karrierën e saj në Hollywood. Aktorja 59-vjeçare, e cila prej dekadash konsiderohet një prej figurave më të rëndësishme të industrisë së filmit, është rikthyer te periudha kur fama e saj u ndërthur ngushtë me marrëdhëniet e saj.
Në një intervistë të re për British Vogue, Kidman është pyetur nëse divorci nga Keith Urban ishte më i lehtë për t’u përballuar në syrin e publikut, pasi kishte kaluar më parë një ndarje shumë të komentuar nga Tom Cruise.
Përgjigjja e saj ishte e shkurtër, por domethënëse: “Është e gjitha e re.” Më pas, me humor, ajo shtoi: “Çdo herë!”
Kidman dhe Tom Cruise u martuan në vitin 1990, kur aktorja ishte vetëm 23 vjeç, dhe qëndruan bashkë deri në vitin 2001. Në atë periudhë, Cruise ishte një prej yjeve më të mëdhenj të kinemasë botërore dhe martesa e tyre e vendosi Kidman në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Aktorja kujtoi se në atë moshë nuk e mendonte dashurinë në raport me karrierën. Ajo tha se ishte aq e dashuruar sa do të kishte qenë e gatshme edhe të hiqte dorë nga karriera, nëse kjo do t’i garantonte një jetë të lumtur në çift.
“Nuk më interesonte. Isha e dashuruar. Doja të martohesha,” kujtoi ajo, duke shpjeguar se në atë kohë shumë njerëz e paralajmëronin se martesa mund të ndikonte në karrierën e saj.
Për një periudhë, Kidman u perceptua kryesisht si “gruaja e Tom Cruise”, por pas divorcit ajo arriti të ndërtonte një kapitull të ri profesional. Filma si Moulin Rouge!, The Others dhe The Hours e konsoliduan statusin e saj si një prej aktoreve më të vlerësuara të Hollywood-it. Për rolin në The Hours, ajo fitoi edhe çmimin Oscar për aktoren më të mirë.
Disa vite më vonë, Kidman gjeti dashurinë me muzikantin Keith Urban. Çifti u martua në vitin 2006 dhe qëndroi së bashku për rreth dy dekada, përpara se martesa e tyre të merrte fund në vitin 2026.
Duke folur për periudhën pas divorcit të fundit, aktorja e përshkroi veten si të gjendur në një fazë “free-falling”, pra sikur po binte pa një drejtim të qartë. Ajo tha se gjatë gjithë jetës ka vepruar duke ndjekur më shumë ndjenjat sesa analizën e tepërt.
“Unë e kam trajtuar gjithë jetën time në këtë mënyrë. Kështu jam,” u shpreh Kidman, duke shtuar se udhëhiqet nga zemra dhe zakonisht i jep një mundësi asaj që ndien.
Ajo pranoi gjithashtu se pas ndarjes është ndier e frikësuar dhe e pambrojtur, por theksoi se përvoja e të qenit vazhdimisht në qendër të vëmendjes nuk ishte diçka e re për të.
“Jeta ime ka qenë më shumë kështu sesa jo,” tha aktorja, duke kujtuar se u përball me famën globale që në moshë shumë të re, pikërisht për shkak të martesës me Tom Cruise./mxh
