Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka rikonfirmuar marrëdhëniet e ngushta me Rusinë dhe Presidentin Vladimir Putin, në një mesazh të dërguar me rastin e përvjetorit të çlirimit të vendit nga sundimi kolonial japonez.
Kim iu përgjigj një mesazhi urimi të Putinit për 81-vjetorin e dorëzimit të Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Putin theksoi se lidhjet mes dy vendeve u krijuan gjatë luftës, kur trupat sovjetike luftuan kundër Japonisë, dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë në të gjitha fushat.
Kim tha se shpreson që marrëdhëniet mes Phenianit dhe Moskës të vazhdojnë të forcohen, duke iu referuar historisë së përbashkët dhe “traditave të çmuara të miqësisë” mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë afruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Pheniani ka dërguar trupa dhe armë për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës, duke shënuar përfshirjen më të madhe të Koresë së Veriut në një konflikt të armatosur që nga vitet 1950.
Ndërkohë, anija ruse “Pallada” mbërriti të shtunën në portin e Wonsanit për një vizitë miqësie në kuadër të përvjetorit të çlirimit. Anija u prit nga zyrtarë të Koresë së Veriut dhe pjesëtarë të ambasadës ruse.
Në të njëjtën ditë, Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, bëri thirrje për rifillimin e dialogut me Korenë e Veriut, me synim bashkëjetesën paqësore dhe shmangien e një konflikti të ri. Lee tha se të dyja Koretë duhet të krijojnë mekanizma për parandalimin e përplasjeve dhe të punojnë për zëvendësimin e armëpushimit me një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Lufta e Koresë, e zhvilluar nga viti 1950 deri në vitin 1953, përfundoi me armëpushim, por dy vendet nuk kanë nënshkruar një traktat paqeje. Presidenti koreanojugor tha gjithashtu se dialogu mund të përfshijë edhe mënyra për të kufizuar programin bërthamor të Phenianit.
Koreja e Veriut i ka refuzuar më herët këto oferta për dialog dhe ka kritikuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, duke i cilësuar si provokime.
Ndërkohë, Putin ka shkaktuar reagimin e Japonisë pas vizitës së tij të enjten në një ishull pranë Hokkaidos, të cilin Japonia e pretendon si territor të saj dhe që Rusia e mori nën kontroll në ditët pas dorëzimit të Japonisë në vitin 1945./mxh
