Autoritetet ruse kanë hapur një çështje penale ndaj një gazetari gjerman pas një pyetjeje që ai i drejtoi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë një konference për shtyp në Beograd, lidhur me vrasjen e ushtarëve rusë, raportoi sot agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.
Gazetari, korrespondent i së përditshmes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) për Evropën Juglindore, po hetohet nën dyshimin për nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë, sipas TASS.
Autoritetet ruse po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e përfshirjes së gazetarit në listën ndërkombëtare të personave në kërkim.
Zyra e shtypit e FAZ deklaroi se nuk ishte në dijeni të procedimeve të nisura nga autoritetet ruse.
Gjatë konferencës për shtyp në Beograd, në fillim të këtij muaji, gazetari e pyeti Zelenskyn se çfarë mund të bënin evropianët për të ndihmuar Ukrainën të vriste më shumë ushtarë rusë.
Pyetja shkaktoi kritika.
Më pas, FAZ deklaroi se pyetja ishte formuluar në mënyrë të paqartë dhe shprehu keqardhje për formulimin e saj.
Gazeta theksoi se nuk përfaqëson qëndrimin editorial të saj që sa më shumë ushtarë rusë të vriten, aq më mirë është.
Sipas TASS, gazetari mund të përballet me deri në gjashtë vjet burg nëse shpallet fajtor nga drejtësia ruse.
Gjykatat ruse mund të japin edhe dënime në mungesë.
Ministria e Jashtme ruse e kritikoi ashpër gazetarin, ndërsa zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, deklaroi për agjencinë shtetërore RIA Novosti se gazetari do të duhet të përgjigjet për veprimet e tij.
Nga ana tjetër, FAZ ka kritikuar atë që e cilësoi si “shpifje dhe kërcënime” ndaj korrespondentit të saj.
Gazeta theksoi se liria e shtypit përfshin të drejtën për të bërë pyetje, veçanërisht gjatë një konference për shtyp, dhe paralajmëroi se do t’u përgjigjet kërcënimeve ndaj punonjësve të saj përmes mjeteve ligjore./Mxh
