Statuja më e madhe e Virgjëreshës Mari në Evropë ngrihet rreth 55 metra drejt qiellit në Konotopie të Polonisë.
Me një meshë solemne, në festën katolike të Ngjitjes së Zojës Mari në Qiell, u inaugurua në Poloni një statujë gjigante e Virgjëreshës Mari. Ndërtimi i ri, me një lartësi totale prej më shumë se 55 metrash, konsiderohet figura më e madhe e Marisë në Evropë.
Vetë statuja është 40,6 metra e lartë. Bazamenti i saj, i ndërtuar në formën e një kurore, është 15 metra i lartë. Punimet për monumentin, i cili peshon rreth 60.000 ton, zgjatën afërsisht 17 muaj. “Monumenti i Nënës së Zotit” (Pomnik Matki Boskiej) ndodhet në fshatin e vogël Konotopie pranë Torunit, rreth 190 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Varshavë.
Monumenti i Virgjëreshës Mari është ndërtuar nga një donator privat. Sipërmarrësi Roman Karkosik është një nga njerëzit më të pasur në Poloni. 75-vjeçari e ka krijuar pasurinë e tij në industrinë e furnizimit të pjesëve për automjete dhe konsiderohet një nga investitorët më të njohur në bursën polake./mxh
