Një anije mallrash është marrë nën kontroll të hënën në brigjet e Somalisë, pasi tetë persona të armatosur dhe të paautorizuar kanë hipur në bord, njoftoi Agjencia e Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), shkruajnë mediat e huaja.
Sipas një njoftimi paralajmërues, UKMTO ka marrë informacion për një incident të ndodhur rreth 4 milje detare në jug të Mareeyos, në Somali.
Oficeri përgjegjës për sigurinë e kompanisë së anijes raportoi se tetë persona të armatosur janë futur në bord dhe kanë marrë kontrollin e mjetit lundrues.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kujt i përket anija, ndërsa deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për ngjarjen.
Pirateria në brigjet somaleze ishte veçanërisht e përhapur gjatë periudhës 2008–2018, përpara se incidentet të shënonin një rënie të ndjeshme.
Megjithatë, rastet nisën të shtoheshin sërish në fund të vitit 2023, në një periudhë kur tensionet e sigurisë në rajon u përshkallëzuan./mxh