Gjermania ka kryer bastisjet e para sipas një ligji të ri për të goditur kontrabandistët që e përdorin vendin si një pikë referimi për kalimin e anijeve të vogla në Kanalin Anglez, ka mësuar BBC.
Më shumë se 9,000 jelekë shpëtimi, dhjetëra gomone dhe motorë, si dhe 360 pompa u sekuestruan nga policia këtë pranverë gjatë një operacioni të përbashkët që përfshinte Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë në rajonin e Rhein-Westfalisë Veriore.
Varkat dhe pajisjet tani po ruhen në një vend sekret. Anijet mund të kenë transportuar ilegalisht më shumë se 2,000 emigrantë përtej Kanalit, sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar.
Bandat kanë përdorur prej kohësh garazhe ose depo për të ruajtur pajisje në Gjermaninë perëndimore përpara se t’i transportonin ato në Francën veriore, por Berlini miratoi një ligj dhjetorin e kaluar duke e bërë atë një vepër penale specifike lehtësimin e kontrabandës së emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Përpara kësaj, ligjet kryesore kundër kontrabandës në Gjermani zbatoheshin vetëm për vendet brenda zonës së lëvizjes së lirë të BE-së, jo për vendet e treta, të cilat përfshinin Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit-it.
Bastisjet kanë ndodhur në Gjermani edhe më parë, por shpesh janë mbështetur në urdhër-arreste franceze ose belge.
Në vitin 2024, Gjermania tha se do të shtrëngonte ligjet e saj për ta bërë më të lehtë ndjekjen penale të atyre që ndihmojnë në transportimin e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e një plani të ri të rënë dakord midis dy vendeve./ad
