Last Updated on 18/08/2026 by Monika
Mazhoranca socialiste ka miratuar më 23 korrik rezolutën ndaj SPAK-ut, ku ndër të tjera e udhëzon Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shmangien e paraburgimeve dhe rritjen e përdorimit të masave alternative.
Rezoluta, e cila mban firmën e kryeparlamentarit Niko Peleshi, i është dërguar SPAK-ut, ndërsa kësaj strukture i kërkohet që brenda 23 gushtit të hartojë një plan veprimi për zbatimin e 32 rekomandimeve për vitin 2026.
Në dokument, Kuvendi i kërkon SPAK-ut të rishikojë praktikën e masave të sigurimit personal, duke rritur përdorimin e masave alternative, në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.
“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 analizimin çdo 4 muaj të kohëzgjatjes së paraburgimit dhe raportit të tij me dënimet përfundimtare, me qëllim evidentimin e rasteve kur koha e qëndrimit në paraburgim afrohet ose mbulon në mënyrë substanciale dënimin përfundimtar, si dhe marrjen e masave për shmangien e kësaj praktike”, theksohet në Rezolutën e Rekomandimeve të Kuvendit për SPAK-un.
Më tej, në rezolutë vlerësohet e nevojshme reduktimi i stokut të çështjeve të mbartura dhe përmirësimi i dosjeve të dërguara për gjykim, mbi të gjitha në lidhje me standardet e provueshmërisë.
Në dokument renditet si prioritet edhe forcimi i kapaciteteve për hetime financiare dhe pasurore paralele. Kuvendi i rekomandon SPAK-ut rritjen e fokusit te konfiskimi i pasurive në çështjet e korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të administratës publike.
Sipas rezolutës, synimi është që ndjekja penale të mos kufizohet vetëm te përgjegjësia individuale, por të prodhojë edhe goditje reale të përfitimit ekonomik të paligjshëm.
“Kuvendi rekomandon për vitin 2026 zhvillimin e analizave periodike për efektivitetin e ndjekjes penale në çështjet ku përfshihen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, përfshirë jo vetëm numrin e procedimeve dhe personave të dërguar në gjykatë, por edhe shkallën e konfiskimit të pasurive. Vijimin e konsolidimit të rezultateve në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synim rritjen e numrit të procedimeve që përfundojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë, me fokus të posaçëm te korrupsioni i nivelit të lartë, pastrimi i parave, trafikimi i narkotikëve dhe veprat penale të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale”, theksohet në Rezolutën e Rekomandimeve të Kuvendit për SPAK-un.
Kuvendi sugjeron gjithashtu përshpejtimin e rekrutimit të hetuesve financiarë të BKH-së dhe të oficerëve të policisë gjyqësore, si dhe shpërndarjen në mënyrë të balancuar të ngarkesës së punës.
Porosi i lihet SPAK-ut edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përparimin e Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve, me synim forcimin e transparencës përmes raportimit statistikor në kohë reale.
Në listën e rekomandimeve, ndër të tjera, Kuvendi udhëzon Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit që të analizojë, në përputhje me rekomandimin e BE-së, nevojën për rishikimin e rregullave dhe procedurave lidhur me procesin e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të qartësuar dhe garantuar procese të hapura, konkurruese dhe pa vonesa./mxh
