Last Updated on 18/08/2026 by Monika
Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, ndërsa deri në orën 20:00 janë regjistruar 7 vatra, 4 prej të cilave vijojnë të jenë aktive dhe 3 janë nën monitorim.
Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa në mbështetje të tyre janë angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Dajt të Tiranës po vijon puna për izolimin e zjarrit me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Priskë, një vatër është riaktivizuar, por po ndiqet nga forcat operacionale dhe aktualisht nuk përbën rrezik për banesat.
Aktive mbetet edhe vatra në Lufaj të Mirditës, me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonës dhe edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.
Operacioni vijon edhe në malin e Tërbunit në Pukë, në një terren të vështirë. Në terren janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të Shërbimit Pyjor, forca bashkiake, vullnetarë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e dy helikopterëve.
Ndërkohë, zjarri në Gurë-Lurë është shuar plotësisht pas një operacioni me rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.
E shuar plotësisht është edhe vatra në Bruç të Matit. Në monitorim vijojnë zjarret në Qafë Helmes, Tharri dhe Selenicë, pa rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Prioritet mbetet mbrojtja e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve, ndërsa kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku situata e kërkon./mxh
