Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se 103 ushtarakë ukrainas u kthyen në atdhe nga robëria ruse. Në këmbim, Rusia mori po 103 ushtarakë të saj.
Pamjet nga kthimi tregojnë ushtarakët ukrainas duke telefonuar familjarët, përqafuar zyrtarët dhe duke marrë flamujt e Ukrainës.
Mes të liruarve janë edhe ushtarakë që kishin marrë pjesë në mbrojtjen e Mariupolit dhe në luftime në disa prej zonave më të ashpra të frontit.
Disa prej tyre kishin kaluar muaj apo edhe vite në robëri. Një prej të liruarve, Anton Tymofienko, tha se të burgosurit kishin qenë kryesisht të shkëputur nga informacionet për botën e jashtme dhe mbështeteshin te letrat e censuruara nga familjarët.
Ai tregoi gjithashtu se robërit ukrainas ishin përballur vazhdimisht me pretendime nga kapësit e tyre se qyteti port i Odesës i përkiste Rusisë.
Shkëmbimi i fundit është një nga rastet e pakta të bashkëpunimit humanitar të drejtpërdrejtë mes Kievit dhe Moskës, pavarësisht vazhdimit të luftës.
Kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Oleh Ivashchenko, tha se Kievi pret një tjetër shkëmbim të të burgosurve para fundit të gushtit, ku pritet të përfshihen edhe persona që ndodhen prej kohësh në robëri, si dhe ushtarakë që morën pjesë në mbrojtjen e Mariupolit./mxh
