Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, deklaroi se sistemi i inspektimit në vend ka probleme, por po punohet për reformimin e tij. I ftuar në studion e RTSH 1, Sula tha se synimi është që brenda një viti të ketë ndryshime thelbësore në mënyrën se si kryhen inspektimet.
“Ka probleme, por po punohet. S’duhet të ndalemi. U bëj thirrje punonjësve që gjërat të shihen me përparësi, të mos ndalen. Në momentin që ti ndalon, aty fillon problemi”, deklaroi Sula.
Sula bëri të ditur gjithashtu se pritet të lidhet një marrëveshje bashkëpunimi me SPAK, me synimin që rastet e dyshuara për shkelje të rënda të referohen pranë strukturave të drejtësisë. Ai theksoi se marrëveshja pritet të konkretizohet në muajin shtator. Sipas tij, në rastet kur gjatë një inspektimi konstatohen elementë që kërkojnë ndërhyrjen e organeve të drejtësisë, do të kryhen referimet përkatëse.
Sula bëri të ditur më tej se, në kuadër të reformës parashikohet një riorganizim i plotë i inspektorateve, me synimin për të përqendruar strukturat në rreth 5-6 inspektorate. Sipas tij, kjo do të mundësojë evidentim më të lehtë të problematikave dhe përcaktim më të qartë të përgjegjësive. Një tjetër shtyllë e reformës do të jetë digjitalizimi i sistemit të inspektimit.
“Do të kemi sistem digjitalizimi. Sipas grupeve të riskut, do t’i përzgjedhë sistemi, jo inspektori, se ku do të bëhen inspektimet”, tha Sula.
Në kuadër të transparencës, Kryeinspektori i Përgjithshëm njoftoi se inspektorët pritet të pajisen edhe me kamera trupi smart. Sipas Sulës, kjo teknologji do të bëjë që çdo inspektim të jetë i dokumentuar dhe transparent, ndërsa kamerat do të regjistrojnë edhe rastet e mundshme të presionit apo shantazhit ndaj inspektorëve.
“Çdo inspektim do të jetë transparent, do të jetë online dhe këto kamera japin shenja të çdo presioni apo shantazhi”, deklaroi ai.
Sula tha gjithashtu se gjatë periudhës së tij në detyrë janë larguar rreth 10 drejtorë, për shkak të shkeljeve të ligjit dhe shpërdorimit të detyrës. Ai paralajmëroi se qëndrimi ndaj shkeljeve do të jetë i prerë. “Do të ketë zero tolerancë. Kush shkel ligjin, ka shanse zero të tolerohet”, u shpreh Sula.
Një tjetër mekanizëm i ri që, sipas Sulës, ka nisur të funksionojë prej rreth tre javësh, është platforma sigurt.gov.al. Sipas tij, përmes kësaj platforme qytetarët mund të raportojnë problematika, shkelje të ligjit apo raste që kërkojnë ndërhyrjen e inspektorateve, edhe në mënyrë anonime.
“Çdo qytetar të shkruajë dhe të paraqesë çdo problematikë apo çdo shkelje ligji, qoftë edhe në mënyrë anonime”, deklaroi Sula. Ai tha se ankesat regjistrohen në çdo orë dhe se platforma ka operatorë të pranishëm për administrimin e tyre. Të dhënat e paraqitura nga qytetarët, sipas tij, ngarkohen dhe përcillen për trajtim. “Ka filluar fluksi dhe po jep efektet e para. Do të ketë ngarkesë të madhe, por brenda disa orësh do të vihen në lëvizje inspektoratet për eliminimin e çdo padrejtësie”, u shpreh Sula./ad
