Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Izrael, Mike Huckabee, ka paralajmëruar kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor që të mos marrin pronat në pronësi të palestinezëve, përfshirë shtetasit amerikanë.
Në një intervistë për Reuters në Jerusalem, Huckabee tha se marrja e tokës apo shtëpive të dikujt tjetër është e papranueshme dhe e cilësoi atë si shkelje jo vetëm të ligjit, por edhe të parimeve fetare.
Duke iu referuar Dhjetë Urdhërimeve, ambasadori amerikan theksoi: “Mos vidh” dhe tha se askush nuk duhet të marrë apo të dëshirojë atë që i përket një personi tjetër.
Deklaratat e Huckabee vijnë pas tensioneve në fshatin palestinez Qusra, në Bregun Perëndimor, ku kolonë izraelitë kanë rrethuar banesa palestineze, mes tyre edhe shtëpinë e shtetasit palestinezo-amerikan Loui Ridi. Organizata të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar situatën si përpjekje për të marrë tokë private palestineze.
Ushtria izraelite ka vendosur trupa në zonë dhe ka shtyrë kolonët larg banesave, por banorët thonë se kanë frikë se presioni do të rikthehet pas largimit të forcave ushtarake.
Huckabee tha se Shtetet e Bashkuara janë “të tmerruara” nga ajo që ka ndodhur në Qusra dhe se personat që rezultojnë përgjegjës duhet të përballen me pasoja. Ai përmendi mundësinë e masave amerikane, përfshirë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe sanksione të tjera, nëse autoritetet përcaktojnë përgjegjësinë e tyre.
Ambasadori amerikan u përpoq gjithashtu të bëjë dallimin mes autorëve të akteve të dhunshme dhe komunitetit më të gjerë të kolonëve. Sipas tij, një numër i vogël personash janë përgjegjës për këto akte dhe disa prej tyre, tha ai, as nuk jetojnë në zonat e kolonive.
Huckabee, një mbështetës i njohur i vendbanimeve izraelite, tha se shumica e banorëve të kolonive duan të jetojnë në paqe dhe siguri me familjet e tyre.
Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare nga OKB-ja dhe shumica e shteteve, ndërsa Izraeli e kundërshton këtë qëndrim.
Deri tani, policia izraelite nuk ka njoftuar arrestime apo akuza ndaj kolonëve të dyshuar për përfshirjen në rrethimin e banesave në Qusra./mxh
