“Fondi i Solidaritetit” ku fshiheshin para me norigjinë të dyshimtë, të padeklaruara që i shërbenin udhëheqjes diktatoriale në vitet 1964-1991
Në vitin 1993, vetëm pak muaj pasi kishte marrë pushtetin qeveria e parë demokratike, Kontrolli i Lartë i Shtetit hapi një prej dosjeve më të ndjeshme financiare të trashëguara nga regjimi komunist. Për herë të parë, një institucion shtetëror auditoi mënyrën se si ish-Komiteti Qendror i Partisë së Punës kishte administruar miliona dollarë në valutë, fonde që për dekada ishin mbajtur larg çdo kontrolli publik dhe parlamentar.
Raporti zbuloi ekzistencën e një llogarie sekrete, të njohur si “Fondi i Solidaritetit”, ku gjatë viteve 1964–1991 ishin depozituar 11.565.933 dollarë. Sipas dokumenteve të kontrollit, për një pjesë të konsiderueshme të këtyre parave nuk ekzistonte asnjë dokument që të provonte origjinën e tyre. Miliona dollarë ishin depozituar dorazi, ndërsa as zyrtarët që kishin administruar fondin dhe as ish-presidenti Ramiz Alia, i cili kishte urdhëruar përdorimin e tij, nuk dhanë shpjegime për burimin e këtyre mjeteve financiare.
Kontrolli evidentoi se fondi ishte përdorur për financimin e partive dhe grupeve marksiste-leniniste në vende të ndryshme të botës, për propagandë politike, delegacione, bursa për studentë të huaj dhe shpenzime të vendosura nga Byroja Politike. Valuta shpërndahej me dëftesa dore, pa dokumente justifikuese nga përfituesit, ndërsa një pjesë e fondeve u përdor edhe për destinacione të tjera, si financimi i gazetës “Zëri i Popullit” për blerjen e një shtypshkronje që, sipas raportit, nuk mbërriti kurrë në Shqipëri. Më 12 qershor 1991, PPSH u riemërua si Partia Socialiste e Shqipërisë. Kjo parti nën emrin e rid he elitën e re drejtuese, pretendoi se la pas të shkuarën gjakatare të saj por në fakt I trashëgoi të gjtiha, duke përfshirë këtu edhe financat. Sipas raportit të KLSH, drejtuesit e ri të PS-së tërhoqën shuma parash nga “Fondi I solidaritit” llogaria secrete e KQ të PPSH-së.
Dosja që sjellim më poshtë është një dëshmi e rrallë mbi momentin kur shteti shqiptar nisi të kontrollonte financat e nomenklaturës komuniste. Përmes dokumenteve zyrtare, ajo tregon jo vetëm se si ishin administruar fondet sekrete të ish-Komitetit Qendror, por edhe sfidën e ndërtimit të një administrate financiare transparente mbi rrënojat e ekonomisë së centralizuar.
Nga kontrolli i ushtruar në ish-Komitetin Qendror
Nga ky kontroll doli së është çelur në bankë një llogari valute (fond solidariteti), ku për periudhën 1964-1991 në të janë depozituar 11.565.933 dollarë të ardhur nga këto burime:
1. Për periudhën e mësipërme janë depozituar dorazi 5,9 milionë $ dhe 600 mijë $ nga buxheti i shtetit. Sipas dokumenteve të bankës, për ato të depozituar dorazi nuk del se nga çfarë burimesh kanë ardhur këto fonde. Për këtë fakt nuk japin sqarime punonjësit që i kanë trajtuar këto fonde. Edhe Ramiz Alia, i cili ka urdhëruar për përdorimin e këtyre fondeve, nuk pranoi të prononcohej për këtë problem. Megjithatë, sipas shkresës së Këshillit të Ministrave nr.6, datë 24.01.1967 (firmosur nga Haki Toska) del se nga Qeveria janë vënë në dispozicion të Komitetit Qendror 700 mijë dollarë.
2. Nga ana e Bankës, për këtë depozitë, për periudhën 1968-1990, janë dhënë interesa bankare për shumën 4.969.306.40 $ fillimisht 3-4% dhe në vitin 1978 e me vonë, sipas përqindjes mesatare të interesave të realizuara nga depozitat tona në bankat perëndimore, kjo me kërkesë të Komitetit Qendror dhe miratim të Qeverisë.
Nga fondi i mësipërm, deri në 25.4.1992 janë përdorur 9.874.151 $. Drejtimet e përdorimit janë përcaktuar në vendimin e Komitetit Qendror nr.190, datë 10.06.1964, si: ndihmë financiare për partitë e grupet marksiste-leniniste, organizim seminaresh këtu, propagandë për jashtë, dërgim delegacionesh, shtim organikash e çelje përfaqësish, bursa për studentët e huaj dhe në dispozicion të Byrosë Politike. Në këto drejtime për gjithë periudhën janë përdorur 3.990.743 $, ku pjesën kryesore e zënë ndihmat financiare për 40 parti e grupe marksiste-leniniste për shumën 2.341.579 $ dhe shpenzime udhëtim e dieta të miqve 1.281.566 dollarë. Lidhur me ligjshmërinë e krijimit dhe përdorimit të këtij fondi, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, që e kanë burimin në vendimet e orientimet e dhëna nga Komiteti Qendror për trajtimin në rrugë sekrete të këtyre fondeve.
Shpërndarja e valutës është bërë me dëftesa dore e që për marrjen e tyre përfituesit nuk kanë lëshuar asnjë dokument. Llojshmëria e shpenzimeve është e gjerë, por duhen theksuar ato për miqtë e partive që vinin për festa, kongrese, pushime, kurime, si dhe për studentët e kursantë në shkollat ushtarake. Në këtë fond janë përfshirë vetëm shpenzime udhëtimi, dieta, ndërsa shpenzimet e trajtimit për gjithë kohën që kanë qëndruar e që kapin shuma të konsiderueshme nuk përfshihen.
Kjo llogari është përdorur edha për destinacione të tjera, me vendim të Komitetit Qendror.
Në vitin 1990, me vendim të Komitetit Qendror, janë vënë në dispozicion të gazetës “Zëri i Popullit” 400 mijë $ për blerjen e shtypshkronjës, nga të cilat 150 mijë i janë xhiruar një firme kanadeze në vitin 1991. Në fakt, për shtypshkronjën nuk ka ardhur asgjë.
Në vitin 1990, me iniciative të bankës, në kundërshtim me dispozitat ligjore, është prekur kjo llogari për 1 milion $ për nevoja importi, për të cilën vazhdon kontrolli.
Në vitin 1992, padrejtësisht, nga Partia Socialiste janë tërhequr 151 mijë $, mbasi ishin fonde të PPSH-së, e cila është financiar nga buxheti me fonde të konsiderueshme dhe nuk kishte arsye qe ai fond të trashëgohej nga PS-ja.
Sipas vendimit të Qeverisë, gjendja e kësaj llogarie më 31.12.1991 për 1.843.000 $ duhet të kalonte në të ardhurat valutore të buxhetit të shtetit. Në fakt, një veprim i tillë nuk është kryer për shkaqe të pajustifikueshme e zvarritje të theksuara nga ana e bankës e për rrjedhojë kjo llogari qëndron e hapur, por e bllokuar që me daljen e vendimit në muajin maj 1992.
Nga SHKSH u morën këto masa:
1. I kërkuam zotit Ilir Hoti, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, që të mbyllë llogarinë në valutë të ish-Komitetit Qendror, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.183, datë 14.05.1992.
2. U ngarkua Ministria e Financave dhe Ekonomisë që në rrugë ligjore të kërkojë kthimin e 400 mijë $, të marra nga redaksia e gazetës “Zëri i Popullit”, dhe 151 mijë $ të tërhiqen nga Komiteti Drejtues i PS-së, të marra prej saj në vitin 1992. Kjo çështje i kalohet hetuesisë./kb
TemA
