Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari përmes një postimi në rrjetet sociale i ka bërë thirrje drejtësisë që të ndëshkojë zjarrvënësit e arrestuar.
Lamallari ka bërë me dije se do të kërkojë me këmbëngulje që ligjit të zbatohet me forcë të plotë ndaj tyre.
Krahas apelit për drejtësinë Lamallari u ka bërë thirrje dhe qytetarëve që të mos lejojnë ndezjen e zjarreve qoftë dhe nga pakujdesia.
“Drejtësia të ndëshkojë zjarrvënësit e arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit, qytetarët t’i raportojnë ata në mbrojtje të jetës së tyre dhe efektivëve në terren.
Një tjetër rast arrestimi në flagrancë nga Policia e Shtetit për zjarrvënie të qëllimshme në Mirditë.
Një 62-vjeçar që kishte ndezur 6 vatra zjarri dhe kishte precedentë të mëparshëm në zjarrvënie u evidentua dhe arrestua në vendngjarje nga Pollicia e Mirditës.
Ne po ndjekim çdo zjarrvënës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje që ligji të zbatohet me forcën e plotë ndaj tyre. Drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund!
Krahas apelit për drejtësinë që të bëjë drejtësi në mbrojtje të jetëve të banorëve dhe forcave që rrezikojnë në terren, pronës private dhe pasurisë publike, thirrja ime shkon dhe për qytetarët: mos lejoni ndezjen e zjarreve qoftë dhe nga pakujdesia dhe mos toleroni ata që e bëjnë këtë!
Raportoni 129 dhe 112 dhe denonconi në Polici këdo që vë në rrezik jetën dhe pronën tuaj!”, shkruan Lamallari/kb
