Last Updated on 23/08/2026 by Kesjana
**
Marcos Rodríguez Pantoja, i njohur në Spanjë si “djali i ujqërve”, ka ndërruar jetë më 15 gusht, në moshën 80-vjeçare. Ai jetonte prej vitit 2001 në Rante, një fshat i vogël pranë San Cibrao das Viñas, në Ourense, në veriperëndim të Spanjës, ku duket se më në fund kishte gjetur një vend që e quante shtëpi.
I lindur në vitin 1946 në Andaluzinë e varfër të pasluftës, Marcos u rrit mes urisë, varfërisë dhe keqtrajtimit. Kur ishte vetëm gjashtë vjeç, i ati e shiti te një bari dhish, i cili e çoi në një luginë të thellë malore, ku duhej të kujdesej për bagëtitë së bashku me një bari të moshuar.
Pas vdekjes së bariut, Marcos mbeti i vetëm në male. Për rreth 12 vjet ai jetoi pa kontakte me njerëzit, duke e kthyer natyrën në shtëpinë e tij dhe kafshët në familjen e vet. Ai mësoi të përshtatej me mjedisin, të gjente ushqim dhe madje të imitonte tingujt e kafshëve.
Sipas rrëfimeve të tij, ai krijoi një marrëdhënie të veçantë me një tufë ujqërish. Pasi ushqeu këlyshët e tyre, ujqërit nisën ta pranonin pranë tyre. Marcos tregonte se i thërriste me ulërima dhe se ata e ndihmonin të gjente kafshë për të ngrënë.
Historia e tij u dokumentua nga antropologu Gabriel Janer Manila, i cili e intervistoi për disa muaj gjatë viteve 1975–1976. Më vonë, Janer e botoi studimin në librin “He jugado con lobos”, ndërsa jeta e Marcos u kthye edhe në film.
Në vitin 1965, kur ishte 19 vjeç, Marcos u gjet nga Guardia Civil dhe u rikthye me forcë në shoqërinë njerëzore. Përshtatja ishte e vështirë. Ai më vonë përsëriste se vitet në male kishin qenë periudha më e lumtur e jetës së tij dhe se vuajtjet e vërteta kishin nisur pasi u gjet.
Pas kthimit në shoqëri, ai jetoi në Jaén me një prift, më pas në Madrid me murgesha, kreu shërbimin ushtarak dhe më vonë shkoi në Mallorca, ku punoi në hotele dhe restorante. Njerëzit që e njohën e përshkruanin si një njeri me një lloj naiviteti fëmijëror dhe me vështirësi për t’u përshtatur plotësisht me jetën moderne.
Në një intervistë për programin televiziv “Informe Semanal” në vitin 2010, kur u kthye për herë të parë në vendlindjen e tij pas 60 vitesh, ai kujtoi jetën në male me fjalët: “Isha shumë mirë. Nuk e dija çfarë ishte paraja, por gjithmonë kisha mjaftueshëm për të ngrënë.”
Në vitet e fundit të jetës, Marcos e përdori historinë e tij për të përcjellë një mesazh për mbrojtjen e natyrës dhe respektin ndaj kafshëve. Ai u drejtohej veçanërisht fëmijëve, duke i nxitur të tregonin më shumë dashuri për kafshët shtëpiake.
Historia e “djalit të ujqërve” mbetet një nga rrëfimet më të jashtëzakonshme të Spanjës moderne, një jetë e kaluar mes dy botëve: asaj të egër të maleve dhe shoqërisë njerëzore, ku ai u rikthye pas më shumë se një dekade të jetuarit në natyrë./FC
