Korrespondenca private e Natalie Harp, një prej asistenteve më të afërta të Donald Trumpit, ka rikthyer debatet mbi marrëdhënien e saj profesionale me presidentin amerikan.
Në disa letra drejtuar Trumpit, Harp përdor një gjuhë tepër personale dhe emocionale. Në njërën prej tyre shkruan se “vetëm ti ke rëndësi për mua”, ndërsa në një tjetër shpreh dëshirën për të kaluar kohë me të duke folur jo vetëm për çështjet e punës, por edhe për tema personale.
Asistentja i kërkon gjithashtu Trumpit që të jetë i drejtpërdrejtë me të kur gabon, duke i thënë se ai është personi që e njeh dhe kujdeset më shumë për të.
Letrat datojnë nga periudha e udhëtimit të Trumpit në Skoci dhe Irlandë, në maj të vitit 2023. Korrespondenca u publikua e plotë nga “Daily Beast”, ndërsa disa pjesë të saj ishin bërë publike më herët nga autori Michael Wolff në një prej librave të tij mbi Trumpin.
Harp konsiderohet një figurë me ndikim në rrethin e presidentit. Ajo merret me përgatitjen dhe printimin e materialeve që Trump lexon, ndërsa kontribuon edhe në përmbajtjen e postimeve të tij në Truth Social.
Sipas Wolff, letrat iu dorëzuan atij nga persona brenda fushatës së Trumpit, të cilët kishin shqetësime lidhur me afërsinë e asistentes me presidentin. Ai e ka cilësuar këtë raport si të pazakontë për një marrëdhënie profesionale.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka dalë në mbrojtje të Harpit. Zëdhënësi Davis Ingle e ka përshkruar atë si një prej njerëzve më besnikë dhe më të përkushtuar ndaj Trumpit, ndërsa kritikët i ka akuzuar për përhapjen e “lajmeve të rreme”.
Çështja mori një tjetër kthesë pasi senatori demokrat Jon Ossoff bëri një koment të diskutueshëm lidhur me Harpin dhe udhëtimet e saj me presidentin. Shtëpia e Bardhë reagoi ashpër, duke e cilësuar senatorin si “të rrezikshëm”.
Polemikat rreth Harpit nuk janë të reja. Edhe më parë është diskutuar procesi i saj i verifikimit nga shërbimet sekrete, veçanërisht për shkak të aksesit që ajo ka në materiale dhe informacione të lidhura me presidentin.
Megjithatë, ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje është ndikimi i saj në mënyrën se si informacioni arrin te Trumpi. Raportimet sugjerojnë se Harp ka një rol në përzgjedhjen dhe përgatitjen e materialeve që i paraqiten presidentit.
Pavarësisht gjithë spekulimeve, deri tani nuk është publikuar ndonjë provë që të dëshmojë ekzistencën e një marrëdhënieje romantike mes Trumpit dhe Harpit. Për këtë arsye, krahasimet me skandalin Clinton–Lewinsky mbeten të pabazuara në fakte konkrete.
Ndërsa debati vazhdon, Melania Trump është shfaqur publikisht pranë bashkëshortit të saj. Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, ku u prezantua një nismë bamirësie me një donacion prej 2 milionë dollarësh, ajo u pa duke i mbajtur dorën Trumpit.
“Dëgjova se ju mungova. Ja ku jam!”, u shpreh Melania gjatë aktivitetit./mxh
