Pas ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës country, Dolly Parton, në moshën 80-vjeçare, Bebe Rexha ka ndarë me ndjekësit një nga kujtimet më të veçanta që ka nga artistja legjendare.
Këngëtarja shqiptare ka publikuar në Instagram momente nga bashkëpunimi i tyre në këngën “Seasons”, e përfshirë në albumin e saj të vitit 2023. Krahas materialeve nga projekti i përbashkët, Rexha ka shkruar një mesazh emocional për Parton, duke treguar se bashkëpunimi me të ishte një ëndërr që dikur dukej e paarritshme.
Bebe kujtoi me emocion edhe momentin kur mori një letër të firmosur nga Dolly. Për të, ishte dëshmi e karakterit të veçantë të artistes, e cila, pavarësisht statusit të saj legjendar, dinte t’i bënte njerëzit përreth të ndiheshin të rëndësishëm.
Në dedikimin e saj, Rexha nuk u ndal vetëm te talenti muzikor i Parton. Ajo veçoi mirësinë, humorin, elegancën, energjinë dhe mënyrën autentike se si artistja e kishte ndërtuar gjithë karrierën e saj.
Rexha shkroi se Parton i kishte treguar brezave të grave se fuqia qëndron edhe në të qenit plotësisht vetvetja, pa pasur nevojë të zvogëlosh personalitetin apo suksesin tënd për t’i bërë të tjerët të ndihen më mirë.
Për këngëtaren shqiptare, “Seasons” do të ketë gjithmonë një domethënie të veçantë, pikërisht sepse zëri i Dolly Parton është tashmë pjesë e saj.
“Disa njerëz i takon dhe i kujton. Disa të tjerë lënë një pjesë të vogël të vetes tek ti, përgjithmonë. Ti ishe një prej tyre”, shkroi Rexha në një nga pjesët më prekëse të dedikimit.
Ajo shprehu gjithashtu mirënjohjen për mundësinë që pati për të krijuar këtë kujtim dhe falënderoi Danny-n, personin që ndihmoi që bashkëpunimi me Parton të bëhej realitet.
Në fund, Bebe Rexha e mbylli mesazhin me një premtim emocional: gjithçka që përjetoi gjatë atij bashkëpunimi, nga muzika te kujtimet dhe mësimet që mori, do ta mbajë me vete përgjithmonë./mxh
