Blake Lively nuk do të marrë nga Justin Baldoni shumën prej 8 milionë dollarësh që kishte kërkuar për shpenzimet gjyqësore. Sipas një vendimi të gjykatës, aktori do t’i paguajë bashkëprotagonistes së tij në filmin “It Ends With Us” 400 mijë dollarë.
Në qershor 2025, një gjykatës rrëzoi padinë për shpifje që Justin Baldoni kishte ngritur kundër Blake Lively dhe New York Times, duke vendosur gjithashtu se aktorja kishte të drejtë të rimbursohej për shpenzimet e bëra në kuadër të mbrojtjes së saj ligjore.
Lively kishte kërkuar rreth 8 milionë dollarë, duke pretenduar se Baldoni i detyrohej 7.495.526,87 dollarë për honorarët e avokatëve dhe 539.514,01 dollarë të tjera për shpenzime të ndryshme të lidhura me mbrojtjen e saj.
Baldoni e kundërshtoi këtë kërkesë, duke argumentuar se shuma ishte e ekzagjeruar dhe se duhej të paguante një shumë gjashtëshifrore, jo shtatëshifrore. Gjykatësi vendosi në fund që Lively të marrë 363.245,40 dollarë për honorarët e avokatëve, si dhe 44.206,35 dollarë për shpenzimet gjyqësore, pra gjithsej rreth 407 mijë dollarë.
Ky vendim duket se mbyll edhe çështjen e fundit të mbetur mes Lively dhe Baldoni-t, pas marrëveshjes së tyre jashtë gjykatës, të arritur përpara gjyqit që pritej të niste në maj dhe që konsiderohej veçanërisht i bujshëm.
Në kuadër të marrëveshjes, asnjëra palë nuk i pagoi dëmshpërblim financiar tjetrës, ndërsa Lively tërhoqi akuzat për ngacmim seksual ndaj Baldoni-t.
Pas arritjes së marrëveshjes, të dyja palët publikuan një deklaratë të përbashkët, ku ndër të tjera thuhej se shqetësimet e ngritura nga Lively meritonin të dëgjoheshin dhe se të dyja palët mbeteshin të përkushtuara për krijimin e ambienteve të punës pa sjellje të papërshtatshme dhe pa klima joproduktive./mxh
