Partia Socialiste vijon organizimin e strukturave në terren, ndërsa kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama, ka thirrur këtë të shtunë në takim deputetët e qarkut Tiranë dhe të deleguarit politikë.
Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 11:00 dhe vjen në vazhdën e takimeve që Rama ka zhvilluar me drejtuesit socialistë në qarqe dhe ministrat.
Fokusi i diskutimeve pritet të jetë puna e strukturave të PS-së në terren dhe mënyra se si drejtuesit politikë do të intensifikojnë komunikimin me qytetarët. Në këtë kuadër, pjesë e diskutimit do të jenë edhe dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, të cilat lidhen me organizimin dhe angazhimin e strukturave socialiste.
Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë që të mos e kufizojnë aktivitetin vetëm në takime organizative, por të kenë një prani më të drejtpërdrejtë në zonat që mbulojnë dhe të ruajnë kontaktin e vazhdueshëm me bazën.
Tirana, si qarku më i madh elektoral në vend, pritet të ketë një vëmendje të veçantë në këtë fazë të organizimit të Partisë Socialiste.
Takimi i sotëm pritet të nxjerrë në pah edhe prioritetet e strukturave socialiste në kryeqytet dhe mënyrën se si do të zbatohet në terren strategjia e re e komunikimit me qytetarët./ Kb
