Last Updated on 29/08/2026 by Monika
Kryeministria ka reaguar lidhur me shkarkimin e kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, Kryeministria ka ndarë një qëndrim përmes zëdhënëses së institucionit, ku veçon opinionin mes atij të kryeministrit Edi Rama dhe interpretimit ligjor të rastit.
Reagimi i Kryeministrisë:
Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.
Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush.
Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë – një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë./Mxh
