Jonida Vokshi ka konfirmuar përmes një postimi në Instagram se nuk do të jetë pjesë e edicionit të ardhshëm të “Big Brother VIP Kosova” si moderatore.
Pas katër edicionesh, moderatorja ka vendosur të bëjë një hap pas dhe këtë herë ta ndjekë spektaklin nga ana tjetër e ekranit.
“Big Brother më ka shoqëruar në katër nga vitet më intensive të jetës sime. Më ka gjetur shtatzënë, më ka gjetur mes dhimbjes së humbjes së babait tim, më ka dhënë emocionet më të bukura, më të forta. Më ka parë të rritem e të ndryshoj”, shkruan ajo.
Jonida shprehet gjithashtu mirënjohëse për publikun, me të cilin thotë se është afruar në një mënyrë që nuk e kishte imagjinuar.
Por këtë herë, arsyeja e vendimit duket se lidhet kryesisht me familjen dhe dëshirën për të ngadalësuar ritmin. Moderatorja rrëfen se ka nevojë të jetë më e pranishme për dy fëmijët e saj.
“Ndjej që kam nevojë të ngadalësoj pak ritmin, për ta dhënë më shumë praninë time aty ku dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, shprehet ajo./mxh
