Për shumë vite, shkenca e ka konsideruar rastësinë si një pjesë themelore të realitetit. Në botën e grimcave, veçanërisht në mekanikën kuantike, dukuri të tilla si shpërbërja e një atomi radioaktiv duken krejtësisht të paparashikueshme. Kjo ka bërë që shumë shkencëtarë të besojnë se universi në një nivel të caktuar drejtohet nga rastësia.
Sipas një grupi në rritje fizikantësh, megjithatë, kjo ide mund të mos jetë e saktë.
Ata argumentojnë se ajo që ne e perceptojmë si rastësi mund të jetë në fakt rezultat i kufizimeve tona për të kuptuar rregullat që drejtojnë botën kuantike. Pra, ngjarjet mund të duken të rastësishme për ne, ndërsa në thelb mund të ekzistojnë rregulla dhe një rend që ende nuk arrijmë ta shohim.
Debati lidhet me një prej supozimeve të mekanikës kuantike: idenë se në nivelin subatomik “të gjitha mundësitë janë të mundshme”. Ky parim ndihmon në shpjegimin matematikor të shumë fenomeneve kuantike, por disa fizikantë argumentojnë se nuk ka prova të mjaftueshme që ai të jetë një realitet fizik.
Nëse kjo pikëpamje do të vërtetohej, atëherë edhe koncepti ynë për “fat të mirë” apo “fat të keq” do të mund të shihej ndryshe. Ajo që sot e quajmë fat mund të mos jetë thjesht rastësi, por pasojë e faktorëve dhe rregullave që ende nuk i kuptojmë plotësisht.
Në këtë këndvështrim, “rastësia” mund të jetë më shumë një kufizim i mënyrës se si mendja njerëzore e kupton universin, sesa një tipar real i vetë natyrës./ad
