Korrupsioni renditet si pengesa kryesore për zbatimin e reformave në Shqipëri, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe mjedisi rregullator mbeten ndër problemet më të mëdha për biznesin, sipas anketës së Bankës Botërore.
Anketa, e zhvilluar me 219 përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile, tregon se 56% e të pyeturve e rendisin korrupsionin ndër faktorët që ngadalësojnë ose pengojnë reformat ekonomike dhe sociale. Pas tij vijnë kapacitetet e pamjaftueshme të qeverisë (35%), mungesa e llogaridhënies (34%) dhe presionet politike (33%).
Për sektorin privat, 52% identifikojnë si problem si mungesën e punonjësve të kualifikuar, ashtu edhe korrupsionin. Mjedisi rregullator përmendet nga 47%, ndërsa 39% shohin vështirësi në aksesin në financim.
Në aspektin e prioriteteve të zhvillimit, bujqësia dhe siguria ushqimore (49%) dhe arsimi (47%) kryesojnë listën, të ndjekura nga shëndetësia (36%), punësimi (34%) dhe infrastruktura digjitale (32%).
Turizmi shihet si sektori me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të reja të punës, por anketa nënvizon nevojën për diversifikim drejt agroturizmit, turizmit kulturor dhe të aventurës. Teknologjia e informacionit, energjia e rinovueshme dhe infrastruktura e gjelbër konsiderohen gjithashtu fusha me potencial për punësim dhe rritje.
Një tjetër mesazh i raportit lidhet me zbatimin e reformave: të anketuarit kërkojnë që politikat të shoqërohen me rezultate konkrete dhe tregues të matshëm, si përmirësimi i shërbimeve, shkurtimi i procedurave dhe krijimi i vendeve të punës./ad
