Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani deklaroi se nuk përjashtohet mundësia e përpjekjeve nga Federata Ruse për të ndikuar në zgjedhjet në Itali dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
“Është një çështje e përgjithshme, që lidhet me të gjithë Bashkimin Evropian. Nuk përjashtohet që të ketë përpjekje për të kushtëzuar zgjedhjet e vendeve ku zhvillohen procese zgjedhore”, tha Tajani duke mbërritur në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së.
Sipas tij, është e nevojshme që masat për mbrojtjen e proceseve demokratike të merren paraprakisht.
“Nuk përjashtoj që të ketë përpjekje nga Federata Ruse për të ndërhyrë në jetën demokratike të vendeve të Bashkimit Evropian, duke tentuar të ndikojë në zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe në vullnetin e qytetarëve”, u shpreh Tajani.
Ministri italian e cilësoi një ndërhyrje të tillë si “të papranueshme” dhe theksoi nevojën për vigjilencë, duke nënvizuar se Italia po forcon kapacitetet për mbrojtjen kibernetike.
Tajani tha se, që prej 1 janarit, në Ministrinë e Jashtme italiane funksionon një drejtori e përgjithshme që merret me sigurinë, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë operacional, ndërsa një qendër operative funksionon 24 orë në 24 për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike.
Ai përmendi edhe sulmin ndaj faqes së Ministrisë së Jashtme italiane gjatë vizitës së parë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Itali, duke theksuar se “precedentët ekzistojnë” dhe se Roma do të vijojë të punojë për mbrojtjen e jetës demokratike.
I pyetur edhe për një artikull të Financial Times, ku gjenerali dhe politikani italian Roberto Vannacci cilësohet si “kalë trojan i Rusisë”, Tajani u shpreh i rezervuar.
“Financial Times mund të shkruajë çfarë të dojë. Pastaj duhet të provohet ajo që thuhet. Shpresoj që kjo të jetë absolutisht e pavërtetë”, deklaroi ai./mxh
