Last Updated on 02/09/2026 by EL
Në vitin 1990, një mekanik në Shqipëri me emrin Aleksandër Gruda ndërmori një nga aktet më të guximshme në historinë moderne njerëzore. Pasi u pushua nga marina për disidencë, ai rrëmbeu një anije luftarake për të fituar lirinë për veten dhe familjen e tij. Filmi “Aleksandër” i prodhuar në vitin 2023, është një nga 118 filmat shqiptarë që shfaqen në kuadër të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, që mbahet në datat nga 3 deri më 12 shtator 2026. Me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe drejtimin artistik te Ilir Butkës, festivali vjen në edicionin e tij të 14-të pas 14 vitesh mungesë.
Filmat shfaqen në Universitetin e Arteve, Kinema Agimi, Kinema Piramida dhe Film Zone te Tirana Moon në Sheshin “Nënë Tereza. Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar shënon rikthimin e një tradite kinematografike, duke synuar të krijojë ura komunikimi mes kinemasë dhe publikut. Ai bashkon audiencën me prodhimet tona filmike, ndërkohë që frymëzon dhe inkurajon të rinjtë.
Përgjatë 10 ditëve, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë prodhimet artistike të kineastëve shqiptarë, realizuar gjatë 14 viteve të fundit. 118 filmat që bëhen pjesë e tij janë prodhuar në kohë të ndryshme dhe përshijnë filma në konkurrim, shfaqje speciale dhe filma jashtë konkurrimit nga Gjergj Xhuvani, Edmond dhe Robert Budina, Fatmir Koçi, Iris Elezi, Artur Gorishti, Gentian Koçi, Florenc Papas, Genc Permeti, Ajola Daja, Bujar Alimani, Pluton Vasi, Roland Sejko etj,etj. Shumica e prodhimeve konkurruese janë mbështetur financiarisht nga QKK, krahas filmave të realizuar me ndihmën e institucioneve kulturore të huaja në vend. Festivali do të kulmojë me natën gala të çmimeve, e cila do të kurorëzojë veprat dhe krijuesit më të spikatur të këtij edicioni. Gjithsej 31 çmime do të ndahen në tri kategori vlerësimi: çmimet e akorduara nga Juria e Ekspertëve, votimi nga anëtarët e Akademisë së Festivalit, si dhe Votat e Publikut. Juria është e ndare në grupe për çmime karriere dhe për filmin e Gjatë Artistik, filmin e shkurtër, atë dokumentar dhe të animuar ndërsa çmime jepen edhe për më të mirët në: regji, produksion, interpretim, skenar, fotografi, muzikë, montazh, skenografi e kostume.
Festivali vlerëson me Çmimin e Karrierës, 16 kolosë që me punën e tyre kanë shkruar historinë e filmit shqiptar. Në skenë nderohen Esat Musliu, Petrit Beci, Pëllumb Kulla, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Robert Radoja, Roza Anagnosti, Saimir Kumbaro dhe Tinka Kurti, ndërsa në kujtim do të nderohen emra të paharruar të kinemasë shqiptare: Birçe Hasko, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Xhanfise Keko dhe Xhevdet Feri./et
